TIRANË

Kryeministri Edi Rama ka folur për mësimin online që u lajmëruar vetëm pak ditë para se të niste universiteti si dhe aksesin e të gjithë studentëve apo nxënësve. Rama tha se nuk jemi në një situatë normale dhe se vendimi për të mos hapur universitetet është marrë pak ditë para. Sa i përket mundësisë së rikthimit në auditorë të studentëve, kreu i qeverisë nuk dha një afat duke theksuar se është e kotë të bëhen spekulime.

“Të gjitha vendimet edhe pse kanë impakt të madh, që impaktojnë jetën e shumë njerëzve në të njëjtën kohë, në këto kushte merren pak ditë përpara. Nuk jemi në një situatë normale që vendime që ndryshojnë mënyrën e të jetuarit duhet të lajmërohen shumë kohë përpara, kjo është normalja në normalitetin e situatës. Vendimi është marrë pak ditë përpara se është ekzekutuar për të kaluar online. Është e kotë të bëjmë spekulime deri kur do qëndrojë kështu situata. Të gjitha vendet ndjekin afate me hamendje me shpresën që gjërat të ndryshojnë. Po të ishte për të bërë diçka drastike dhe absolutisht 100% garantuese por që është ireale dhe e pamundur do të thoshim që të gjithë të mbylleshim në shtëpi deri kur të ikë virusi. Por kjo është e pamundur sepse jeta ka shumë nevoja. Të gjitha vendet adaptojnë hap pas hapi strategjitë e tyre me taktika të caktuara, tamam si në një ndeshje”, tha Rama.

Lidhur me cilësinë e mësimit online, kryeministri deklaroi që e rëndësishme është që është aksesuar nga shumica dhe se ka përpjekje për përmirësim.

“Cila quhet mënyra e duhur. E para mësimi është kryer në tërësi dhe kjo ka qenë një lehtësi e madhe mes mundësisë për të qëndruar në kontakt me mësuesin e shkollën dhe pamundësisë për të pasur asnjë lloj kontakti. Kjo flamë nuk na ka gjetur as me spitalet që kishim deri disa vite më parë sepse do ishte një katastrofë dhe as në pamundësi për të dhënë shërbime online për njerëzit. Imagjino të mos kishim e-albania. A është bërë mësimi online me atë cilësi që e ka kompensuar plotësisht pamundësinë për të shkuar në shkollë dhe për të vijuar me mësimin tradicional besoj do ishte e tepruar. Sigurisht që është bërë, diku më mirë, diku pak më mirë por e rëndësishme është që është garantuar aksesi për shumicën dërrmuese. Por përpiqemi të përmirësohemi.

Për sa i përket universitetit edhe aty është mundësia por sigurisht që nuk është e njëjta gjë, sidomos për studentët e viteve të para nuk është njësoj. Megjithatë jemi në një situatë të jashtëzakonshme dhe në këtë situatë të jashtëzakonshme nuk kemi shumë zgjidhje dhe duhet të ndjekim këto rrugë alternative”, deklaroi Rama.

Në lidhje me mundësinë për uljen e çmimit të paketave të internetit, Rama tha se është një nxitje për ta diskutuar. “Nuk është diskutuar në dijeninë time diçka e tillë por më vjen mirë që e dëgjoj si një nxitje për ta shtruar për diskutim në mënyrë që të shikojmë se sa është e mundur në këtë fazë”, u shpreh ai.

Ndërkohë për pajisjen me tableta për nxënësit dhe studentët që vijnë nga familje në nevojë, kryeministri tha se në buxhetin e 2021 ka një ndihmë direkte për familjet në nevojë.

“Ky është qëllimi, me këtë po merremi. Kemi përfshirë në buxhetin 2021 një ndihmë direkte për familjet në nevojë, jo të lidhur me COVID-in por për të gjitha familjet që të jetë marrja e dyfishit të paketës së ndihmës ekonomike, në kushtet kur duhet të kufizojë punën në të zezë, të ndihmojë më shumë fëmijët”, u shpreh ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb