TIRANE

Mësimi në shkollën ‘Emin Duraku’ vijon të zhvillohet me mungesa pasi një pjesë e prindërve kanë pasiguri për godinën e shkollës që ka shfaqur dëme pas tërmetit të 26 nëntorit.

Edhe ata prindër që i kanë sjellë fëmijët në shkollë nuk e fshehin pasigurinë që sipas tyre buron nga ekzistenca e dy akt konstatimeve gati kontradiktore në thelb dhe në përfundim, të realizuara nga i njëjti institucion, Institituti i Ndërtimit.

Akt konstatimi i parë në shkollën 9 Vjecare ‘Emin Duraku’ është realizuar në datën 3 dhjetor nga inxhinjerja Mimoza Kola dhe arkitektja Joana Kacori.

Ekspertet pasi kanë parë në vend situatën dalin në përfundimin se e gjithë godina si e vjetra dhe shtesa e re e ndërtuar në vitin 2006 kanë dëmtime në strukturë, plasaritje të thella 45 gradë në muret ndarëse, dëmtim të traut të katit të tretë, dëmtim të parapetit, shkëputje të objektit ekzistues nga shtesa e re që shërben për ciklin e ulët, etj. Parë situatën dy ekspertët kanë shënuar në fund të akt konstatimit që duhet pezulluar aktiviteti në shkollën emin duraku deri sa të kryhen përforcimet e nevojshme si dhe të kontrollohen të gjithë elementët konstruktiv pasi më parë të zhvishen nga suvatë.

Por pa kaluar 24 orë ky akt konstatim është hedhur në kosh nga vetë kreu i institutit të ndërtimit, Agron Hasanlliu edhe pse ky i fundit e kish vulosur dhe firmosur dokumentin në fjalë. Një ditë më pas vetë kreu i institutit ka përpiluar një tjetër akt konstatimi duke e vendosur veten në rrolin e grup inspektimit si dhe drejtorit që në këtë rast certifikon vetveten. Dokumenti që mban datën 4 dhjetor i minimizon duskshëm dëmet në objekt krahasuar me të parin duke u fokusuar vetëm në pezullimin e aktivitit vetëm në pjesën e re të shkollës që shërben për ciklin fillor.

Përfaqësues të bordit të prindërve i thanë News24 se i janë drejtuar me një kërkesë direkte ministres së arsimit ku i kërkohe kësaj të fundit realizimi i një akt ekspertimi më të specializuar me përfshirjen e ekspertëve nga Instituti i Ndërtimit, Bashkia Tiranë ekspertë të pavarur dhe bordi i prindërve. Por ky propozim i bordit nuk është marrë në konsideratë nga ministria që nga ana e saj ka certifikuar vijimin normal të mësimit në godinën që shërben për ciklin 9 vjecar ku paralelisht janë kryer disa meremetime në muraturë sic tregon kjo foto.

Ndërkohë rreth mesditës së ditës së martë një grup inxhenjerësh dhe arkitektësh, njëherësh prindër të fëmijëve në këtë shkollë kanë kërkuar nga drejtoria që të bëjnë privatisht një akt konstatimi të tretë për tu siguruar që ndërtesa tre katëshe e hapur për mësimdhënie nuk paraqet rrezik. Por ata nuk janë lejuar të hynë në objekt me urdhër të drejtoreshës.

Tentuam t’i marrim një prononcim drejtoreshës së shkollës ‘Emin Duraku’, Besa Tarka teksa dilte nga dera e shkollës por më kot.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb