Nga Mariglen Mërtiri
Paguajnë çdo taksë dhe detyrim ndaj bashkisë por nuk marrin pas asnjë shërbim. Prej vitesh jetojnë në kushte të vështira edhe pse e dinë se jetojnë në zonën e paurbanizuar të Bathores në Kamëz por për dhjetëra familje të lagjes 5, të paguash ujin dhe të mos e kesh, të paguash për kanalizimet por në fakt nuk ke asnjë tubacion, kjo është më shumë se irrituese.
Sahatet e tyre të ujit në shumicë nuk regjistrojnë asgjë pasi uji nuk shkon në rubinetët e këtyre banorëve prej kohësh, ndërsa zgjidhja me puse të hapura nga vetë ata duket si i ka ardhur fundi.

Akoma më shqetësuese bëhet gjendja për ujërat e zeza ku çdo familje në këtë zonë pas çdo muaji hap gropa septike të reja pranë banesës por toka për këtë shërbim nuk mjafton, ndaj ata bëjnë apel për bashkinë e Kamzës që të bëjë kanalizmet si një emergjencë për këta banorë.

Bathorja është një nga zonat e cila në 26 vite ka njohur një popullim të madh i cili nuk është shoqëruar me urbanizim dhe kushtet më elementare të jetesës në komunitet.

Për mungesën e ujit kanë protestuar gjatë natës së djeshme edhe banorët e banesave sociale në zonën e Shkozës të cilët tentuan të bllokojnë edhe rrugën.

Pa kanalizime, pa ujë dhe larg çdo urbanizimi, lind dhe perëndon dita prej vitesh në zonën e Bathores, pak kilometra larg Tiranës.

Banorët thonë se janë në emergjencë për ujërat e zeza sepse mungesa e ujit në rubinetë ka shtuar rrezikun e përhapjes së epidemive, pasi gropat septike mbyllen dhe hap çdo muaj në çdo shtëpi të kësaj zone.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb