Një verë te Barcelona do të mbahet mend gjatë, ndonëse makthi duket se nuk ka përfunduar ende në radhët e kuqebluve. Duke iu referuar burimeve të “Cadena SER”, katalanasve nuk u ka mjaftuar as largimi i Lionel Mesit për t’u regjistruar në kampionatin e sezonit të ardhshëm.

Sipas medias në fjalë, e cila sigurisht që specifikon se për të mos mbetur jashtë La Ligas 2021-2022 ka kohë deri më 31 gusht (dita e fundit e merkatos europiane), Barcelona ka sërish nevojë që të ulë ndjeshëm kuotën e pagave në total në skuadër, përndryshe nuk do të mund të federojnë dot as Serxho Agueron, Memfis Depain dhe Emerson Rojalin, blerjet e kësaj dritareje merkatoje.

Nëse në rastin e sulmuesit argjentinas, federimi mund të presë, duke qenë se ai përveçse është një futbollist me parametër zero, do të jetë i dëmtuar deri në muajin nëntor, në rastin e holandezit dhe brazilianit, këta vërtet janë prezantuar nga klubi, por ende kontrata e tyre nuk është depozituar në federatë, pasi kjo e fundit nuk i pranon ato, derisa buxheti i rrogave të jetë brenda parametrave te Barcelona.

Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, këtë fundjavë do t’i bashkohet skuadrës edhe mbrojtësi i ardhur nga Mançester Siti, Erik Garsia, që gjithashtu pret të firmosë kontratën e tij me spanjollët.

Dhe duke parë se Barça debutimin e saj do ta ketë më 15 gusht (të dielën kundër Sociedadit), trajneri Ronald Kuman shpreson që kjo situatë të zgjidhet përpara kësaj date, përndryshe holandezi nuk do të mund të mbështetet te Depai dhe Rojal.

ZGJIDHJA – Prandaj, ajo për të cilën ka nisur të punojë me vrull Barcelona është të paktën largimi nga lista e shpenzimeve të tyre e njërit mes Samuel Umtitit, Felipe Kutinjos dhe Miralem Pjaniçit.

Ky i fundit duket ai që mund të lërë i pari dhe brenda kësaj fundjave “Kamp Noun”, duke qenë se tratativa me Juventusin është në një fazë të avancuar, me formulën e huazimit falas në Torino, në mënyrë që “Zonja e Vjetër” të marrë përsipër pagën e futbollistit. Dhe me të përfunduar kjo gjë, Barcelona do të mund të federonte menjëherë Memfis Depain të parin.

Ndërsa zgjidhja tjetër dhe ajo ndoshta më e sigurta do të ishte arritja e një akordi me të gjithë futbollistët në ekip për uljen e pagave deri në 20 për qind për secilin, duke i dhënë kështu mundësi klubit që të mund të dërgojë ne federatë të gjithë kartonët e katër blerjeve të verës: Depai, Aguero, Rojal dhe Garsia.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb