Si rrallë herë këtë sezon në La Liga, Barcelona zhvilloi një ndeshje perfekte përballë Valladolid, një fitore e pastër 0-3 në transfertë që rikthen blaugranët në garë, pavarësisht se kreu mbetet ende larg, minus tetë pikë. Ekipi i Ronald Koeman kaloi në avantazh në minutën e 21-të me Lenglet, që brenda në zonë me kokë dërgoi topin në rrjetë. Në të 35-tën ishte Braithwaite që zgjati këmbën duke devijuar topin për të dyfishuar shifrat. Nuk mund të mungonte në apel as Leo Messi i cili në minutën e 65-të realizoi golin e tretë, ky ishte goli i tij i 644 me fanellën e Barçës duke kaluar në këtë mënyrë legjendën Pele.

Në një intervistë për të përditshmes spanjolle “Marca”, Messi shprehet i bindur se Barcelona është rikthyer dhe i ka të gjitha mundësitë të luftojnë për gjithçka këtë sezon: “Sot mund të them se ndihem mirë, kam dëshirë për të luftuar dhe për të arritur të gjithë objektivat, por me të vërtetë kalova një verë shumë të keqe. Barcelona po kalon një moment të vështirë, gjithçka ndodh rreth klubit është e komplikuar. Do të provojmë të fitojmë gjithçka, po rritemi dhe nga tani e tutje është e rëndësishme të arrijmë një seri me rezultate pozitive për tu rikthyer në majën e La Liga”, u shpreh Messi.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb