TIRANË- Pak orë pas publikimit të skandalit në një shkollë të Tiranës ku një mësues është arrestuar për veprime të turpshme me nxënësen e tij, gazetari Mariglen Mërtiri zbardh për “BalkanWeb” dëshminë e nënës së vajzës.

Në kushtet e një tronditjeje të madhe, ajo ka pohuar se ka lexuar mesazhet në “Facebook” që mësuesi Hasan Martani i kishte dërguar vajzës. Nga një respekt që gëzonte si një mësues autoritar, nëna e të miturës thotë se u befasua ‘iu shemb bota’. Për sa i përket mësuesve të tjerë, ajo thotë se nuk ka patur shqetësim.

“Vajza ime e denoncoi. Nuk ka pasur shqetësim nga mësuesit e tjerë. Edhe për këtë mësues kam pasur respekt se ishte autoritar. Jam befasuar kur i pashë me sytë e mi mesazhet në ‘Facebook’. M’u shemb bota. Vajza është ekselente. Si ngjarje kam një javë që e di. Dje dorëzova provat. Nuk duhet vetëm pezullimi por kërkoj të dënohet. Ai që dyshonim se ishte i rrezikshëm iku. Kam qenë e shqetësuar se vajza si tip ka qenë edhe e mbyllur dhe mbyllja shkoi edhe më tej”, thotë ajo.

Nëna shpjegon se nuk e ka sjellë çështjen në shkollë sepse donte që të merrej shteti dhe të mos kishte asnjë ndikim. Ajo deklaron se nuk donte vetëm shkarkimin por dënimin e mësuesit.

“Çështjen nuk e kam sjellë në shkollë, e shmanga sepse nuk duhet të ndikoheshin të tjerët dhe duhet të merrej shteti. Çështjen nuk e diskutova me drejtoreshën për sa kohë unë kisha faktin në dorën time. Nuk doja vetëm një shkarkim por më shumë”, ka thënë nëna e 14-vjeçares.

DREJTORESHA E SHKOLLËS: ÇËSHTJA NËN HETIM, NUK KA NDODHUR NË KLASË
Por ndërsa nëna e 14-vjeçares pohon se përveç se në “Facebook”, vajza i ka folur për veprime edhe në ambientet e shkollës, drejtoresha e shkollës Rajmonda Halilaj deklaroi se në dijeninë e saj ngjarja nuk ka ndodhur në klasë.

“Çështja është në hetim. Organet kompetente duhet të zbardhin çështjen. Di që ka ndodhur ngjarja vetëm në ‘Facebook’ nuk ka ndodhur në klasë”, ka thënë drejtoresha e shkollës “Mustafa Lleshi” në Kombinat.

Pas arrestimit mësuesi Hasan Martani është pezulluar nga detyra. Ai u vu dje në pranga “për veprime të turpshme “me nxënësen 14-vjeçare.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb