Çfarë jam unë është pyetja që duhet të shqetësojë në tërësi mësuesin e viteve që po jeton arsimi në Shqipëri. Arsimi është një proces i vazhdueshëm, çdo herë që ti si mësues i ke mësuar një nxënësi një gjë të re ti para syve ke një njeri të ndryshuar, por bashkë me të ke ndryshuar edhe ti si mësimdhënës. Pra duke mësuar të tjerët ti ke mësuar edhe veten tënde, je bërë një qenie e përshtatur me tipologji të ndryshme fëmijësh, ke mësuar gjithëherë nga një gjë të re në lidhje me nxënësit e tu dhe ke kuptuar që më së miri përshtatja jote duhet përsosur vit pas viti ndryshe nxënësit e tu nuk do bëhen ata që dëshironi ju, por ata që do vetë koha ti ketë në duart e veta, unë i jap shumë rëndësi të mësuarit me dashuri.
Në librin tim e kam thënë që dashuria mësohet, por dhe shumë elementë të tjerë mësohen, përgjegjësia, respekti, mirësia, këmbëngulja, vullneti, pra të gjitha këto është mirë që tua mësoni nxënësve tuaj, por arrihen vetëm nëse dini t’i mësoni me dashuri, në të kundërt as vetë të mësuarit e lëndëve të përditshme nuk do kenë rezultatin e duhur, ju mësues të dashur sot përballeni me fëmijë që ulen para jush për t’ju dëgjuar me ose pa vëmendje, pasi asnjë familje nuk është pa të meta, pa shqetësime, pa paragjykime për mësuesit dhe sistemin arsimor, pa probleme të vogla ose të mëdha ekonomike, pa ngarkesa me stres nga jeta e përditshme. Ndaj detyra kryesore juaja është ta edukoni si njeri pikë së pari pastaj transmetimi i dijes tuaj te ky njeriu të cilin e edukuat me dashuri do jetë shumë më i thjeshtë dhe disa herë me produktiv. Fëmijët që do mësoni ju janë qenie njerëzore, të cilët mund edhe të gabojnë, edhe të flasin pa leje edhe të mos ju japin gjithnjë përgjigjen e duhur në lëndët përkatëse, prandaj mos tentoni të keni para syve tuaj vetëm nxënës perfekt se nuk ia dilni dot, shpesh herë fëmijët bien në depresion të thellë duke u përpjekur që të arrijnë përsosmërinë para mësuesve të tyre dhe prindërve gjithashtu, e frika se mos i zhgënjejnë i bën të mbyllen në vetvete e pa dashje ju keni bërë një dëm të madh në personalitetin e tyre.
Nxënësit tuaj kanë nevojë për dashuri dhe vetëm duke ju transmetuar dashuri në klasë ju do ngeleni në kujtesën e tyre, ata mbase dhe vijnë nga prindër të dhunshëm e jeni ju ata që do zëvendësoni këtë dashuri që ju mungon në familje, mundet të mos ju duket në fytyrë që ai vuan, por ndonjëherë vuajtja e fëmijëve nga dhuna në familje është aq e thellë sa lë shenja të dukshme brenda në shpirtin e tyre e njeriu që duhet t’i gjendet, ta mbrojë dhe t’i falë shpresa për jetën është mësuesi. Fitojeni zemrën e tyre, bëhuni njësh me hallet, dhimbjen dhe pafajësinë e çdo fëmije që do keni në klasat tuaja, harroni për një moment hallet e vuajtjet tuaja nëse i keni prezente, sepse ke fatin e njeriut në dorë, humanizmi duhet t’ju shoqërojë në profesionalizmin tuaj e të kombinuara të dyja do bëjnë mrekulli në një brez që po rritet i rrethuar nga interneti, mungesa e kohës së prindërve, nga dhuna televizive dhe dhuna e shumëllojshme dhe e kudogjendur. Jam e bindur që secili nga ju e di çfarë misioni ka, por varet si e përmbushni këtë mision. Thelbësorja e rezultatit dhe mirësia nuk është jashtë dyerve të shkollës, ajo gjendet brenda secilit mësues e mishëruar në mendjen dhe në punën tuaj të përditshme, e mbajeni fort që të prodhoni njerëz të qetë për të ardhmen e vendit tuaj, ndryshe misioni i mësuesit do jetë një ditë i pamundur dhe i padëshiruar nga të gjithë.
Jam e bindur që të gjitha këto që shkrova të dashur kolegë ju i keni brenda mendjes tuaj. Unë me dashamirësinë time jua rikujtova që t’i zbatoni në këtë fillim viti shkollor dhe po e mbyll këtë shkrim me një thënie të Abraham Lincoln.
Letra e Abraham Lincoln për mësuesen e djalit të tij:
E di që i duhet të mësojë se jo të gjithë njerëzit janë të drejtë, jo të gjithë janë të sinqertë.
Megjithatë mësojini se për çdo kriminel ka një hero, për çdo politikan egoist ekziston një lider i përpiktë.
Mësojini se për çdo armik, ka një mik.
Mundohuni ta mbani larg zilisë nëse ia arrini dhe mësojini sekretin e një buzëqeshjeje të çiltër.
Mësojini fillimisht se mendjemëdhenjtë janë të parët që humbasin.
Nëse mundeni, transmetojini mrekullinë e leximit të librit, por i leni dhe kohën e mjaftueshme për të kundruar misterin e përjetshëm të fluturimit të zogjve në qiell, të bletëve në diell e të luleve në një kodër.
Mësojini se në shkollë është shumë herë më e ndershme të gabosh sesa të mashtrosh.
Mësojini të këtë besim në idetë e tij edhe pse të gjithë do t`i thonë që janë të gabuara.
Mësojini të jetë i sjellshëm me njerëzit e sjellshëm dhe i ashpër me të këqijtë.
Mundohuni t`i mësoni fëmijës tim forcën për mos të ndjekur turmën edhe pse të gjithë hidhen mbi qerren e fituesit.
Mësojeni që të dëgjojë me vëmendje çdo njeri, por gjithashtu të shoshisë atë që dëgjon me shoshën e të vërtetës dhe të marrë veç të mirën.
Mësojini se mund të buzëqeshë edhe kur është i trishtuar.
Mësojini se nuk është turp të qash.
Mësojini si të përqesh cinikët dhe të ruhet nga ëmbëlsia e tepruar e njerëzve.
Mësojini atij sesi të shes mallin e tij ofruesit më të lartë, por mos të pranojë kurrë një çmim për shpirtin e zemrën.
Mësojini të mos ia vërë veshin njerëzve të helmuar dhe të ngrihet të luftojë nëse nuk është e drejtë.
Trajtojeni me mirësjellje, por mos e përkëdhelni sepse përmes provës se zjarrit, bëhet çeliku i mirë.
Lëreni të ketë kurajën të jetë i padurueshëm.
Lëreni që të ketë durimin të jetë trim.
Mësojini që të ketë besim të palëkundur në vetvete, sepse vetëm atëherë do të ketë besim te njerëzimi.
E di që janë shumë kërkesa, por bëni më të mirën që mundeni.
Është një djalosh kaq i mirë, im bir!
Dr. Zoje JAKAJ(XHOI) Pedagoge
Botuese e librit “Adoleshenca në filtrin e dashurisë”
“Paraadoleshenca sfidat e prindërimit’
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: