TIRANË- Në luftën kundër drogës me sa duket do të përfshihen edhe shkollat e universitetet. Një letër që mban firmën e ministres së Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla dërguar një prej institucioneve arsimore në vend është publikuar sot nga deputeti demokrat Luçiano Boçi.

Në letër kërkohet nga mësuesit dhe pedagogët hartimi i një raporti për vlerësimin e situatës, përmasës eventuale të përdorimit të kanabisit nga studentët dhe një plan veprimi.

KËRKESA
“Në kuadër të hartimit të Dokumentit Strategjik “Plani Kombëtar kundër Kultivimit dhe Trafikimit të Kanabisit”, nga Këshilli i Ministrave, kërkohet kontributi i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit (MAS) lidhur me analizimin e situatës dhe hartimin e planeve përkatëse të veprimit, në institucionet shkollore të arsimit parauniversitar dhe në institucionet e arsimit të lartë.

Lidhur me sa më sipër, do të ishte i mirëpritur kontributi i institucioneve të arsimit të lartë që ju drejtoni, në bashkëpunim dhe me forumet e studentëve, lidhur me përgatitjen e një raporti mbi vlerësimin e situatës/përmasës eventuale të përdorimit të kanabisit nga studentët si dhe planifikimin e veprimtarive parandaluese që mund të realizohen nga IAL, si dhe përcjelljen e tij në MAS brenda datës 31.01.2017.
Duke ju falënderuar për bashkëpunimin, Lindita Nikolla.”

Boci, kerkesa Nikolla

LUÇIANO BOÇI

Deputeti i PD-së, Luçiano Boçi,ka bërë edhe një reagim në lidhje me këtë urdhër të MAS. Ai e konsideron skandal, përfshirjen e pedagogëve dhe vënien e tyre në rolin e policëve. Sipas tij, pedagogët duhet të njohin kanabisin dhe llojet e tij dhe duhet të marrin në pyetje studentët.

Statusi i deputetit të PD

Pasi e ndriti me ngrohjen në shkolla në arsimin parauniversitar e atë universitar, Ministria e Arsimit lëshon një tjetër mufkë!
Kot nuk u shpall dhe ministria më qesharake para disa ditësh kjo!
Pasi e mbushi vendin anë e kënd me drogë, qeverisja Rama i kërkon Universiteteve Publike, ku “pret gozhdë” nga i ftohti, që në kuadrin e hartimit të Dokumentit strategjik për “Parandalimin e kultivimit dhe trafikimit të kanabisit”, të hartojnë të dhëna për përmasën e përdorimit të tij tek studentët dhe të planifikojnë masat për parandalimin e tij.
Në pamje të parë ndonjërit mund t’i duket rutinë normale, por realisht i bie që:
Pedagogët pa përjashtim sipas ministrisë, duhet të njohin mirë kanabisin, llojet e tij, format e përdorimit etj, se mund ta ngatërrojnë me nenexhikun.
Sidomos gratë pedagoge. Madje për këtë mund të pyesin dhe studentët që të kthjellohen mirë.
Pas kësaj, sa të futen në auditor, para se të fillojnë mësimin duhet të pyesin:
Kush ka kanabis me vete?
Kush pi kanabis me pak kafe?
Sa rrënjë u mbollën në zonën tuaj?
Duhet të jenë dhe vigjilentë biles!
Midis studentëve mund të ketë dhe trafikantë.
“Lumi fle, hasmi nuk fle” – thotë Partia.
Po nuk ja treguan, duhet ta gjejnë vetë me “nuhatje”.
Pas kësaj, kush kapet apo e pi, merr 4 si masë parandaluese!?
Vetë studentët mund të ngrenë grupe kontrolli tip gardistësh!?
Si dikur pra!
Kësaj i bie që tani punën e policisë dhe të qeverisë ta bëjnë pedagogët si “komisarë politikë”.
I bie që tani kemi jo pedagogë, por policë-pedagogë, te cilët përpos informacionit akademik, duhet të perfeksionojnë nuhatjen!
Dhe po nuk e bën, fajin e mossuksesit e kanë ata, pedagogët.
Ja pra, sa po punon e lodhet qeveria jonë, në luftën e ashpër “pa mëshirë” kundër trafikantëve të kanabisit.
Hajde shtet për kokë të shtetit hajde!!!?
Ky e kap kanabisin me pedagogë.
Ka lezet!

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb