NGA: Ermelinda Hoxhaj*

TIRANE- Ka nisur java e dytë e muajit dhjetor, por mësuesit e arsimit parauniversitar në qytetin e Vlorës, Fierit dhe Shkodrës, ende nuk i kanë marra pagat. Ndonëse rrogat mujore të mësuesve duhet të kalonin në llogaritë e tyre bankare që më 2 dhjetor, një gjë e tillë për mijëra arsimtarë nuk ka ndodhur. Tashmë vonesat e pagave të mësuesve janë kthyer në një fenomen të zakonshëm, pasi edhe për muajin nëntor, 35 mijë arsimtarë pagesat i morën me gati dy javë vonesë, përfshi edhe arsimtarët e Tiranës, të cilët i morën rrogat në datë 10 nëntor. Sindikata e Arsimit në Vlorë, për shkak të ankesave të shumta të mësuesve për vonesën, është drejtuar në Drejtorinë Arsimore Rajonale Vlorë, por përgjigja që kanë marrë ka qenë e pazakontë, se fondi ka kaluar për likuidimin e borxheve.

Pagat&vonesat
Ndonëse arsimtarët i kanë sytë nga qeveria nëse këtë vit do të përfitojnë pagën e 13, apo shpërblimin e fundvitit, gjë e cila u është mohuar vitin e shkuar, shumë prej tyre ende nuk kanë marrë rrogën mujore. “Pritëm javën e kaluar deri të premten në datë 4 se mos kalonin pagat, por në llogaritë tonë nuk kaloi. Ditën e hënë po sërish pritëm më kot. Tani presim të mërkurën që të marrim pagën e nëntorit, pasi e marta është ditë pushimi. Të vonohen pagat 10 ditë nuk është normale, se i bie gjysmë muaji. Me çfarë do ushqehemi ne dhe fëmijët tanë, sepse jemi burrë e grua arsimtarë dhe të dy jemi pa rroga”, tregon një mësuese në qytetin e Vlorës. Ndërkohë që në bazë të ankesave të mësuesve, pa paga janë edhe mësuesit e Drejtorisë Arsimore Fier dhe Shkodër. Më problematike duket situate në Vlorë, pasi përgjigja që sindikalistët kanë marrë nga Drejtoria Arsimore e Vlorës është se fondi i pagave ka kaluar për likuidim të borxheve të transportit. “Pasi u interesuam në DAR Vlorë, na informuan se fondet kanë kaluar për likuidim të borxheve. Këtë muaj u likuiduan pagesat e transportit”, sqaron kryetari i Sindikatës së Arsimit në Vlorë, Ruzhdi Begaj. Ndërkohë që për Shkodrën, kreu i sindikatës, Arjan Peraj shprehet se në këtë Drejtori Arsimore prej muajsh pagat e mësuesve po jepen pas datës 12 të çdo muaji. Ndërkohë që Ministria e Arsimit, e pyetur për këtë vonesë pagash të mijëra arsimtarëve, nuk ka kthyer asnjë përgjigje zyrtare. Vetëm dy ditë më parë sindikalistët kërkuan nga qeveria që të rrisë buxhetin për arsimin në jo më pak se 5 për qind të GDP-së, me qëllim rritjen e financimit në sistemin arsimor publik. Sipas sindikalistëve, me këtë rritje zgjidhen të gjitha problemet e tjera që lidhen me sistemin e pagave, të shpërblimeve, të kushteve më të mira në shkollë etj.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: