Ministria e Arsimit ka informuar lidhur me situatën tek shkolla 9-vjeçare ‘’Emin Duraku’’ në Tiranë ku PD denoncoi se 8 mësues kanë rezultuar me COVID-19 dhe 20 të tjerë janë karantinuar.

Në njoftim zyrtar, MASR sqaron se mësuesit janë zëvendësuar që procesi mësimor të vijojë pa ndërprerje. Po ashtu janë marrë masa shtesë për të rritur numrin e psikologëve.

Më tej theksohet se dezinfektimi i shkollës është kryer 3 herë gjatë javës së shkuar, e fundit ditën e djeshme.

 

NJOFTIMI NGA MASR

Në lidhje me shkollën 9-vjeçare “Emin Duraku” në kryeqytet, dëshirojmë t’ju informojmë se mësimi në këtë shkollë po vijon normalisht.

 

Për shkak se disa mësues kanë rezultuar me COVID-19 dhe disa të tjerë janë karantinuar, nga ana e DPAP dhe zyrës arsimore vendore Tiranë janë marrë masat e menjëhershme për zëvendësimin e tyre në mënyrë që mësimi të vijojë pa ndërprerje. Njëkohësisht, është shtuar edhe numri i psikologëve për të qenë sa më pranë nxënësve e mësuesve me shërbimin psiko-social.

 

Ndërkohë, procesi i dezinfektimit në këtë shkollë është kryer 3 herë gjatë gjithë javës së shkuar, teksa dezinfektimi më i fundit është realizuar ditën e djeshme.

 

Duam të sigurojmë prindërit e të gjithë opinionin publik se ne po punojmë intensivisht që jo vetëm në këtë shkollë por në të gjithë vendin, ambientet e shkollave tona të jenë të sigurta, me higjienizim të vazhdueshëm, me masa që respektohen e me nivel të lartë ndërgjegjësimi nga ana e nxënësve, mësuesve dhe gjithë stafit të shkollave.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb