Sindikata e Mësuesve të Chicagos (CTU) në shtetin federal Illinois të SHBA-së ka mbështetur marrëveshjen paraprake për t’ju kthyer mësimit me prezencë fizike mes pandemisë së koronavirusit (COVID-19), njoftoi Sindikata.

Vendimi u mor nga 13.681 anëtarët që votuan “pro” dhe erdhi pas disa javësh negociatash midis CTU-së dhe Rrjetit të Shkollave Publike të Chicagos (CPS), ndërsa 6.585 anëtarë votuan “kundër” marrëveshjes.

Megjithëse palët ranë dakord për t’u kthyer në klasa, Sindikata shprehu shqetësim në lidhje me sigurinë e shkollave.

“Ky plan nuk është ai që meriton ndonjëri prej nesh. Jo ne. Jo studentët tanë. Jo familjet e tyre. Fakti që CPS nuk mund të shtyjë rihapjen disa javë të tjera duke rritur vaksinimin dhe përgatitjet në shkolla është një turp”, theksoi Sindikata.

“Ne do të mbrohemi duke shfrytëzuar Komitetet e Sigurisë në shkollë të themeluar sipas kësaj marrëveshjeje për organizim dhe të shohim nëse CPS plotëson standardet e sigurisë dhe protokollet zbutëse”, tha Sindikata.

Korniza e propozuar tani është “një marrëveshje e ratifikuar” midis CTU-së dhe CPS-së, thuhet në deklaratë.

Illinois ka regjistruar më shumë se 1.1 milion raste me COVID-19 dhe rreth 22 mijë viktima, sipas të dhënave të përpiluara nga Universiteti “Johns Hopkins”.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb