Avokati i njohur Genc Gjokutaj ka pasur një reagim të ashpër për mësymjen e paligjshme sot te Prestige Resort, ku do të konfiskohen dy godina.

Në një reagim për News24’ Gjokutaj tha se prokuroria duhet të veprojë dhe të marrë Prestige si vendngjarje, pasi aty po bëhet krim i shëmtuar. Ai tha se policët e pranishëm në atë hotel janë banditë të veshur me uniformë.

“Ky është një akt barbar. Reagimi sot është kontribut në favor të pronës. E ndoqa zotin Hysenbelliu dhe i jap të drejtë për rrëfimin e tij. S’kemi të bëjmë me problem ligjor, pasi është shteruar ky proces. Shteti nuk po sillet si administrator i denjë për të treguar se kush ka shkelur dispozitat ligjore. Rama është lokomotiva e këtij treni, por janë shumë vagonë pas. Sot në administratën e shtetit nuk shkon dot të marrësh një formular apo shërbim. Si ka mundësi që nuk i jepet mundësia subjektit për një të drejtë të saj, që t’i drejtohet gjykatës.

Të gjitha gjykatat i ka të kapura. Qëndrimi i tij kështu është dhe për opozitën. S’kemi të bëjmë me një proces ligjor. Ekzekutimi i një të drejte lidhet me personin, jo me shtetin. Një shtet që ushtron vetëgjyqësi, i ka hequr vetes mundësinë që të quhet i tillë. Ata janë banditë me uniformë. Atyre, (policisë) i është thënë që në këtë orë do rrethoni këtë subjekt. Ky shtet është sulmuesi i kësaj prone. Aty është vendngjarje, dhe po të duash ta bësh film është fantazi e madhe. Këta zyrtarë shkojnë atje se më pas marrin mungesë dhe iu shmangen mediave. Kjo ngjarje ka cënuar integritetin e kompanisë, konceptin e pronës në përgjithësi. Dita kur bëhet ky veprim, sot është vit i ri për bektashinjtë. Vetëm një i pafe bën kështu gjërash. Sot njerëzit kanë festë dhe me këto pamje, festa është prishur. Duhet të merret në konsideratë dokumentacioni dhe ky është rast i rëndë flagrant penal. Nëse nuk ndalen sot, do e bëjnë praktikë.

Situata është e rënduar. Pak ditë nga raporti i DASH, ku rasti i Prestige Resort është vënë në dokumentin e këtij raporti për Shqipërinë, çka do të thotë se ka qenë një ngjarje e spikatur në zinxhirin delikuent, dhe të veprosh me të njëjtën dhunë, pa dokumente, pa ligj, ky shtet ka rrëshqitur”, tha Gjokutaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: