TIRANË

Presidenti i Republikës Ilir Meta paralajmëroi sot sërish për mosprekjen e votës së lirë. Meta tha në ABC se 2 milionë shqiptarë do jenë para qendrave të votimit për të mbrojtur votën.

Një paralajmërim e pati dhe për atë që e cilën ‘mafia ndërkombëtare’. Kreu i Shtetit tha se nëse mafia ndërkombëtare kërkon ta marrë Shqipërinë me luftë, përgjigjja do jetë me luftë.

“Po i paralajmëroj nëse prekin apo dhunojnë votat, se mbi 2 milionë shqiptarë do jenë para qendrave të votimit për të mbrojtur votën. Telefoni i Presidentit do të jetë i hapur për të gjithë shqiptarët. Në 25 prill, ekipi i Presidentit do jete në terren, në çdo qendër votimi. Askush të mos guxojë të prekë dhe të cenojë një votë se ndëshkimi do jetë shembullor dhe spektakolar.
Nëse mafia ndërkombëtare kërkon dhe guxon ta marrë me luftë Shqipërinë, atëherë të jenë të qartë: luftë do të ketë dhe me luftë do t’i përgjigjemi, flakë për flakë”, deklaroi Meta.

Presidenti tha se në demokraci duhet të luftosh në mënyrë demokratike deri në fund.
“Reforma në Drejtësi është vetëm ajo që është votuar me 140 vota. Ata që e kanë shkelur do dënohen. Republika është tronditur në themelet e saj, te zgjedhjet. Zgjedhjet janë në agresion nga të gjithë ata, që duan të përzënë shqiptarët nga Shqipëria, për të sjellë njerëz nga Bangladeshi. Ne nuk do e lëmë vendin tonë në dorë të mafies ndërkombëtare. Në 25 prill, do ketë përmbysje demokratike, sepse kanë rënë të gjithë sistemit në vend. Unë nuk jam thjesht për rotacion, por për përmbysje demokratike”, tha Meta.

Kreu i Shtetit tha më tej se “Ilir Meta është djalë i një ushtaraku” dhe se “për mua detyrë mbi detyrat është mbrojtja e Atdheut”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: