TIRANË- Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta mori pjesë në debatin me temë “Projektbuxheti i vitit 2016 në vlerësimin e studentëve të ekonomisë”. Në bashkëbisedimin e zhvilluar në sallën e seancës plenare të Kuvendit ishin të pranishëm studentë të Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Tiranës dhe studentëve të Shkollës së Lartë Private Mesdhetare e Shqipërisë.

Gjatë diskutimeve, studentët parashtruan opinionet e tyre për situatën ekonomike në vend, nivelin e borxhit, politikat fiskale të qeverisë, ndërsa shprehën besimin se projektbuxheti do ta mbështesë rritjen ekonomike përmes rritjes së investimeve.

Duke folur para studentëve, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, tha se askush nuk duket i lumtur për buxhetin e vitit të ardhshëm, por kjo ndodh sepse kërkesat janë shumë të mëdha. Meta u shpreh se demokracia ka problemet e saj dhe një nga problemet e saj është edhe borxhi.

“Por nuk është problemi se borxhi është ndonjë tabu, por duhet parë si një instrument për zhvillimin, për rritje ekonomike, për punësimin. Në këtë drejtim unë mendoj se shumë vërejtje që mund të bëni dhe të gjithë kanë vërejtjet e tyre. Ne jemi ende një vend në zhvillim, vijmë nga një prapambetje e jashtëzakonshme dhe në këtë kuptim, është mjaft e rëndësishme t’i shërbejmë të ardhmes dhe të jemi sa më realist. Prandaj, meqenëse u kthyem tek çështja e borxhit, dihet që vendi ynë ka një borxh shqetësues. Këtu u përmend edhe nga dikush prej jush paralajmërimi i agjencisë së njohur ndërkombëtare “MOODY’s” lidhur me hapat që duhet të ndërmarrë Shqipëria për uljen e borxhit në mënyrë që ai të mos ekspozojë më tej vëmendjen dhe financat tona drejt rreziqeve më të mëdha që do të kompromentonin rritjen ekonomike në të ardhmen”,- tha Kryetari i Kuvendit, teksa vlerësoi elementët pozitivë që ka buxheti dhe garancitë që jep në drejtim të rritjes ekonomike të vendit.

“Dua të them se ky projektbuxhet, pavarësisht nga disa vërejtje dhe kritika që i bëhen dhe që do t’i bëhen, ka disa elementë pozitiv. Së pari garanton një përmirësim të mëtejshëm të rritjes ekonomike të vendit. Së dyti, garanton përmes një vendosmërie për të realizuar konsolidimin fiskal, një rritje të qëndrueshme ekonomie, jo vetëm për vitin që vjen, por dhe në vitet e mëpasshme dhe kjo është mjaft e rëndësishme. Lidhur me konsolidimin fiskal që edhe ju e prekët, mendoj se është evidente që për herë të parë kemi një ulje të borxhit publik, pavarësisht se nuk është e lehtë , por për herë të parë kemi një ulje. Së dyti kemi gati një përgjysmim të deficitit buxhetor. Së treti, pas disa vitesh për herë të parë kemi shfaqjen e suficitit primar,e dhe pse kjo përsëri në mënyrë modeste”, – theksoi Meta.

Kryetari i Kuvendit nënvizoi se ky buxhet ka disa risi dhe një nga këto është raporti pushtetin vendor dhe kjo ndodh për shkak se ky është viti i parë financiar kur kemi të bëjmë me vitin e parë do të thosha edhe financiar të bashkive të reja të krijuara si rezultat i reformës administrative territoriale.

“Ky është një buxhet që mbështet disa reforma të rëndësishme, të cilat do të kenë një impakt jo thjesht 1-vjeçar, por afatgjatë për të gjithë zhvillimin e vendit dhe për shërbimin ndaj qytetarëve, ashtu sikurse mbështet edhe reforma të tjera përsa i takon tregut të punës dhe formimit profesional pasi dihet që investimi në kapitalin njerëzor është ai më i rëndësishmi për një shoqëri që dëshiron të rritet në mënyrë të qëndrueshme dhe të shëndetshme e cilësore, por edhe reforma të tjera në fushën e arsimit të bujqësisë e kështu me radhë. Buxheti është dokument shumë i rëndësishëm juridik, financiar, ekonomik edhe social ku mpleksen dhe ndërthuren interesat e të gjithë faktorëve të shoqërisë dhe të gjithë qytetarëve të gjithë grupeve të interesave”, tha Meta.

Gjithashtu, Meta tha se është mjaft e rëndësishme që buxheti të monitorohet përgjatë gjithë vitit. “Edhe në kuadër të transparencës më të madhe ndaj publikut, ndaj qytetarëve ndaj grupeve të interesit, Kuvendi ka vendosur që ky monitorim të ndodhi jo vetëm një herë në vit kur paraqitet buxheti faktik, por të ndodhë të paktën çdo tre muaj për të ndjekur ecurinë e zbatimit të tij në bazë të gjithë zërave. Por ajo që unë doja të theksoja më shumë, vendimtare për zhvillimin është sidomos përmirësimi i klimës së biznesit. Në këtë drejtim sigurisht ë buxheti së bashku edhe me paketën e re fiskale që ai shoqërohet jep ndikimin e tij, por absolutisht një ndikim shumë të rëndësishëm i jep gjithë raporti i qeverisë, i administratës, i institucioneve me biznesin në tërësi, në kuadër të rritjes së transparencës, të thjeshtimit të procedurave, të luftës kundër korrupsionit në mënyrë që të rritet më tej liria ekonomike në vend dhe të inkurajohet biznesi vendas dhe ai i huaj për të investuar më shumë në Shqipëri për të tërhequr sa më shumë investime të huaja direkt”, – deklaroi ndër të tjera Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb