TIRANË

Presidenti i Republikës, Ilir Meta bëri sot homazhe për nder të jetës dhe veprave heroike të Gjeneral Rrahman Parllakut, partizanit fitimtar antifashist, i cili më pas u burgos dhe u internua nga regjimi diktatorial.

Duke vendosur një kurorë me lule dhe duke u përulur me respekt para trupit të të ndjerit, Presidenti Meta u shprehu ngushëllimet familjarëve dhe të afërmve të tij, ndërsa foli edhe për mediat, ku shtoi se Parllaku ishte një komandant i lavdishëm i Luftës Antifashiste si dhe një personalitet i ushtrisë shqiptare.

“Sot që është një ditë historike për mbarë popullin dhe kombin tonë, 16 shtatori, dita e Konferencës së Pezës, dita e besëlidhjes së të gjithë shqiptarëve pa dallim feje, krahine dhe ideje në luftën për liri, nuk e mendoja se do të ishte edhe dita kur do t’i thonim lamtumirën e fundit Gjeneralit Rrahman Parllaku, njërit prej komandantëve më të lavdishëm të Luftës Antifashiste, të luftës për liri, por edhe njërit prej personaliteve më të mëdha të ushtrisë sonë, një personaliteti publik me kontribute të jashtëzakonshme në të gjitha kohët.

Jam i bindur se përkushtimi i tij ndaj lirisë së atdheut, ndaj interesave kombëtare, por edhe ndaj përparimit të demokracisë, do të mbeten përgjithmonë në kujtimin tonë.

Në përkujtimin e çdo ngjarjeje të rëndësishme të luftës, në çdo sukses të Atdheut, Gjeneral Parllaku me frymëzimin që na ka dhënë të gjithëve, padyshim që do të jetë gjithmonë mes nesh, me personalitetin e tij të pamposhtur, dhe me kthjelltësinë e mendimit që nuk e humbi asnjëherë.”-tha Meta.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb