Nga DARINA TANUSHI*

Parlamenti kërkon më shumë pavarësi financiare nga qeveria. Për këtë, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta u ka shpërndarë një plan veprimi, të firmosur prej tij, ku saktëson se në Kushtetutë dhe në rregulloren e Kuvendit duhen bërë ndryshime lidhur me buxhetin e Kuvendit, në mënyrë që të jetë më i pavarur nga ekzekutivi. Ky plan veprimi, u është shpërndarë komisioneve të përhershme të Kuvendit, njëherësh janë shpërndarë detyrat për deputetët për vitin 2015.

Në këtë material, sugjerohet rishikimi i Kushtetutës për të futur një nen të veçantë për buxhetin e Parlamentit, ose hartimi i një ligji të posaçëm për ta bërë këtë buxhet më të pavarur nga qeveria si dhe ndryshimi i Rregullores së Kuvendit. “Të shtohet një nen në Kushtetutë për buxhetin e Kuvendit në të njëjtën mënyrë siç është parashikuar për buxhetin e Avokatit të Popullit (neni 60) ose gjykatat (neni 144). Mund të miratohet gjithashtu një ligj i veçantë mbi buxhetin e Kuvendit, i cili parashikon hartimin dhe zbatimin e buxhetit të Kuvendit në mënyrë më të pavarur nga Qeveria.

Për të përmbushur kërkesat e një Kuvendi të pavarur financiarisht, duhet të shtohen nene të reja në Rregulloren e Kuvendit”, – thuhet në planin e veprimit. Kryetari i Kuvendit, në fillim të këtij plani veprimi përmend problematikat që janë vënë në dukje në progres- raportin e 2014-ës për Kuvendin e Shqipërisë, ku i kërkohet të jetë më transparent në hartimin e ligjeve, të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese për komisionet hetimore dhe të forcojë monitorimin ndaj institucioneve të tjera. Në bazë të tij ndahen detyrat për secilin komision, në mënyrë që në progres-raportin e ardhshëm, parlamentit të mos i tërhiqet më veshi.

Për këtë arsye kërkohet dhe fuqizimi i rolit monitorues ndaj qeverisë. “As rregullsia dhe as shpeshtësia e marrjes së informacionit të përditësuar nga qeveria nuk është në nivel të kënaqshëm”, vijon Plani. Ndër detyrat e ndara për 2015-ën është dhe zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, kryesisht për komisionet hetimore, pikë kryesore kjo e marrëveshjes që riktheu opozitën në Kuvend. “Jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese lidhur me qëllimin dhe kufizimet e kontrollit parlamentar nëpërmjet komisioneve hetimore duhet të zbatohet plotësisht nga Parlamenti. Vendimet përkatëse të Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohen pa vonesa të panevojshme”, – thuhet në dokument. Meta u kërkon deputetëve më tepër vëmendje ndaj raportimeve të institucioneve të pavarura dhe të mos neglizhojnë rekomandimet e tyre, si në rastin e Avokatit të Popullit apo KLSH-së. Gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti Kuvendi do të hapë 24 zyra në qarqet e vendit për deputetët, pas vërejtjeve të Brukselit se këta të fundit kanë kontakte të kufizuara me zonat e tyre elektorale.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb