Presidenti Ilir Meta ka thënë nga Shkodra, se është çelur zyrtarisht gara për 6 bashkitë e vendit që kanë mbetur pa kryetar.

Kreu i Shtetit tha se i takon KQZ tanimë që të merren të gjitha masat për një proces të shembullor. Ai thotë se qytetarët të tregojnë vullnetin e tyre e të zgjedhin kandidatin apo kandidaten që dëshirojnë.

“Sot kam firmosur dekretin për zgjedhjet e pjesshme vendore më 6 mars në 6 bashkitë e vendit tonë, ku përfshihet edhe Bashkia e Shkodrës. Proces që u arrit falë konsultimeve të institucioneve përgjegjëse dhe KQZ së cilës i mbetet barra kryesore për organizimin e punës për të pasur një proces shembullor. Procesi duhet të jetë shembullor e kjo është nxitja ime për aktorët.

Vota është forca e vërtetë e qytetarit në demokraci e nuk duhet humbur mundësia për qytetarët që të tregojnë vullnetin e tyre dhe të zgjedhin kandidatin apo kandidaten më të mirë që do të drejtojë bashkinë e tyre në të ardhmen, në të 6 bashkitë ku kjo garë është çelur zyrtarisht”, tha Meta.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb