DURRËS

Me anë të një ceremoni të veçantë të zhvilluar në qytetin e Durrësit, Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi sot disa personalitete të shquara në fusha të ndryshme të kësaj treve.

Kreu i Shtetit dekoroi me Titullin “Mjeshtër i Madh” zotin Mihal Muka: “Në vlerësim të kontributit të shquar në fushën e shëndetit publik, të humanizmit dhe punës së palodhur në shërbim të qytetarëve durrsakë. Me mirënjohje për aftësitë e larta profesionale si mjek epidemiolog, botues shkencor e pedagog, si dhe për vlerat e spikatura intelektuale dhe qytetare.”;

sipërmarrësin Nazif Tivari: “Në vlerësimin të kontributit të shquar në shërbim të konsumatorit shqiptar me prodhimet e qumështit, si dhe ato të përpunuara prej tij. Me mirënjohje sipërmarrësit model, të përpiktë në marrëdhënie më punonjësit, si dhe me aftësi të spikatura organizative e me vizion bashkëkohor në industrinë e agrobiznesit.”;

valltarin Ibrahim Roçi:“Në vlerësim të talentit të spikatur në interpretimin e valleve tradicionale, për kontributin në lartësimin e kulturës popullore e folklorit të trevës së Kavajës, si dhe në formimin dhe përgatitjen artistike të mjaft valltarëve të rinj.”;

Ndërsa me Titullin “Për Merita të Veçanta Civile” Presidenti i Republikës vlerësoi zotin Alfred Golgota: “Me mirënjohje për shërbimin e çmuar dhe kontributin në dobi të interesit të qytetarëve, institucioneve të ruajtjes së rendit publik, si dhe vlerave demokratike të shoqërisë shqiptare.”

Me Titullin “Mjeshtër i Madh” Presidenti Meta, vlerësoi edhe zotin Enver Qerimi: “Në vlerësim të cilësive të spikatura si violinist i talentuar, për virtuozitetin në interpretimin me teknik të lartë dhe emocion të shumë koncerteve me repertor të pafund nga muzika popullore, deri në pjesët më të njohura të muzikës instrumentale shqiptare e botërore për violinë e piano.”

Në fjalën e tij përshëndetëse drejtuar të pranishmëve, Presidenti Meta u shpreh se këto figura janë shembuj të spikatur të përkushtimit, të kontributit dhe pasionit për zhvillim dhe emancipim shoqëror.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

MESAZHI I PLOTË I PRESIDENTIT META

“I nderuar Kryetar i Shoqatës ‘Durrësi’, zoti Abdullah Deliallisi

Të dashur miq të shoqatës ‘Durrësi’ dhe Qendrës Kulturore të qytetit Kavajë,

Të nderuar zonja dhe zotërinj, miq e të ftuar!

Sot është një ditë e veçantë dhe kënaqësi për mua, që së bashku të vlerësojmë disa prej qytetarëve dhe personaliteteve të shquara nga jeta publike e artistike e trevës tuaj.

Personalisht vlerësoj pa masë, rolin e shoqatave qytetare, kurajon dhe angazhimin e tyre në adresë të mirës së përbashkët, sidomos të ruajtjes së trashëgimisë kulturore, por njëkohësisht edhe të promovimit të vlerave, më të mira qytetare.

Sepse qytetet ku ne banojmë, duhet të reflektojnë pikërisht interesat, aspiratat, dëshirat dhe angazhimin e qytetarëve më të mirë dhe më të dalluar.

Shoqatat tuaja janë forume të rëndësishme të zërit qytetar, prandaj edhe kemi bashkëpunuar në mënyrë të ngushtë me shoqatën ‘Durrësi’.

Sot nderojmë disa personalitete të veçanta, me propozimin tuaj, si mjeku i përkushtuar dhe personaliteti humanist doktor Mihal Todi Muka.

Violinisti i njohur e virtuoz zoti Enver Qerimi; koreografi dhe interpretuesi i njohur i valles së Shqipërisë së Mesme zoti Ibrahim Roçi; Pedagogu dhe sipërmarrësi me vizion i industrisë së qumështit zoti Nazif Tivari; si dhe një prej figurave të njohura të mbrojtjes së rendit dhe jetës së qytetarëve, zotin Alfred Golgota.

Shoqëria shqiptare megjithëse vështirësitë e kohërave ka ditur të evidentojë shembuj të spikatur të përkushtimit, të kontributit dhe të pasionit.

Sot në ditët e pandemisë botërore po spikat edhe roli i mjekëve, si asnjëherë tjetër, por dhe angazhimi i doktor Mukës!

Edhe pse kanë ka kaluar dekada në shërbim të qytetarëve të emocionon përkushtimi, humanizmi dhe aftësia e lartë profesionale e doktor Mihal Todi Mukës, një nga emblemat e shëndetit publik, jo vetëm të Durrësit.

Formimi i tij si mjek në një nga universitetet e shquara të kohës, kualifikimi tij shkencor, përvoja laboratorike e pedagogjike, si dhe aftësitë drejtuese të tij, iu kanë dhënë jetë, siguri e shëndet mbarë qytetarëve durrsakë për dekada me radhë, madje edhe në ditët e sotme, megjithë moshën e thyer.

Një personalitet i vlerësuar është pedagogu dhe sipërmarrësi i suksesshëm zotin Nazif Tartari.

Shumë vite më parë ai u kthye në atdhe për të realizuar ëndrrën e tij, duke ngritur fabrikën e përpunimit të qumështit ‘Mozzarela Albania’.

Bashkë me produktet e saj cilësore, ai ofroi i konsumatorit shqiptar edukatën e punës dhe një vizion bashkëkohor të menaxhimit të agro-industrisë dhe shfrytëzimit të produkteve të blegtorisë tonë.

Po kështu, violinisti i shquar Enver Qerimi në jetën e tij artistike ka marrë shumë tituj e vlerësime, për interpretimet e shkëlqyera me instrumentin e tij të violinës, por vlerësimin më të madh ia ka dhënë me duartrokitje, publiku i Durrësit dhe ai mbarë shqiptar për kontributin e tij të madh në muzikën dhe kulturën popullore.

Mes nesh sot është edhe valltari e koreografi i përkushtuar, Ibrahim Roçi, artisti i dalluar në mbrojtjen, ruajtjen dhe promovimin e vlerave të trashëgimisë kulturore jo materiale në zonat e Durrësit, Kavajës, Rrogozhinës e Peqinit.

Në karrierën e tij të gjatë ai është laureuar në shumë festivale folklorike kombëtare dhe ndërkombëtare.

Pas viteve ‘90-të, zoti Roçi krijoi Ansamblin Folklorik “Besa”, që e ka mbajtur dhe po e mban me pasionin e tij modest, duke krijuar kështu një shembull të lartë qytetarie dhe atdhedashurie.

Për të mbyllur këtë përshëndetje do të vlerësoja po ashtu propozimin e Shoqatës “Durrësi Autokton” për zotin Alfred Golgota, një nga emblemat e punonjësve të ruajtjes së rendit publik dhe të jetës së qytetarëve durrsakë.

Ai ka punuar me ndershmëri e pasion për më shumë se 30 vite në Policinë e Shtetit, pa u tërhequr kurrë nga misioni i tij, deri duke rrezikuar jetën për të mirën e komunitetit.

Të nderuar miq,

Këto vlerësime kanë të bëj në pikërisht, me disa personalitete të fushave të ndryshme, të mjekëve, artistëve, sipërmarrësve, profesionistëve dhe gjithë punonjësve të ndershëm, të shtetit shqiptar ndër vite.

Ato janë një mesazh për brezin e ri për t’i dashur e nderuar traditat dhe personalitetet e këtij populli.

Ky dekorim përbën gjithashtu një thirrje për institucionet e shtetit tonë, për të rritur mbështetjen dhe vëmendjen ndaj qytetarëve të përkushtuar të këtij vendi.

Paqe, begati dhe harmoni në familjet tuaja dhe të gjithë durrsakëve dhe shëndet mbi të gjitha.

Faleminderit!”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb