TIRANË- Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi sot me një ceremoni solemne basketbollistin dhe diplomatin e shquar Agim Fagu duke i akorduar Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” me motivacionin: “Me mirënjohje dhe vlerësim të thellë për veprën dhe kontributin madhor që ka dhënë për ngritjen e sportit të basketbollit në nivelet më të larta ndërkombëtare, si personalitet i shquar në njohjen dhe lartësimin e vendit tonë në botë”.

Meta-Fagu (1)

Duke iu drejtuar të pranishmëve të shumtë mes të cilëve familjarë, kolegë, ish-Presidenti Alfred Moisiu, deputetë, politikanë, akademikë, diplomatë dhe gazetarë, Presidenti Meta tregoi për letrën që kishte marrë disa ditë më parë, të firmosur edhe nga paraardhësi i tij Moisiu.

Meta-Fagu (6)

“Pak ditë më parë mora një kërkesë të nënshkruar nga personalitete të jashtëzakonshme të jetës instucionale të sportit, kulturës, të arsimit në mënyrë të veçantë që udhëhiqej nga Presidenti Moisiu ku mua më bëri përshtypje një apel brenda kërkesës dhe vlerësimit për këtë figurë dhe personalitet të jashtëzakonshëm ku thuhej ‘Zoti President ka dekorata që nderojnë njerëzit, por ka dhe njerëz që nderojnë dekoratën dhe Agim Fagu është pikërisht një i tillë.’
Jam i bindur se Dekorata e lartë ‘Gjergj Kastrioti Skënderbeu’ ashtu edhe personaliteti i Agim Fagut nderojnë më së miri njëra-tjetrën. Kjo figurë e jashtëzakonshme dhe komplekse ndërthur si rrallë dhe në mënyrën më të shkëlqyer figurën e sportistit të niveleve më të larta evropiane dhe botërore me atë të qytetarit, intelektualit dhe të diplomatit të shkëlqyer.” – nënvizoi Presidenti Meta duke vënë në pah disa nga pikat kulmore të sportistit, diplomatit, edukuesit e pedagogut dhe figurës së spikatur intelektuale të zotit Fagu ndër dekada.

Meta-Fagu (3)

“Personaliteti i tij ka shkëlqyer në mënyrë të veçantë gjatë detyrës si Ambasador në Mbretërinë e Bashkuar, ku angazhimi dhe bashkëpunimi i tij me qeverinë britanike, e cila kishte një rol udhëheqës për zgjidhjen e krizës së Kosovës ka qenë i jashtëzakonshëm, ashtu sikurse e jashtëzakonshme ka qenë dhe paraqitja e tij në mediat më të njohura britanike dhe botërore në mbrojtje të kauzës së Kosovës. Ashtu sikurse mund të dëshmoj jo vetëm unë, por dhe shumë kolegë të tjerë këtu që kanë punuar me të në Ministrinë e Punëve të Jashtme apo të Mbrojtjes pë rolin e tij të jashtëzakonshëm dhe plot pasion për përgatitjen e Shqipërisë për anëtarësimin në NATO duke drejtuar në Ministrinë e Jashtme drejtorinë për NATO-n. Do të doja të vlerësoja dhe kontributin e tij në fushën e arsimit dhe të edukimit ku ai ka shërbyer në vitet e para pas diplomimit dhe është e qartë se ai kudo ka qenë i shkëlqyer si nxënës, student, mësues, pedagog dhe si diplomat.” – u shpreh Presidenti i Republikës.

Meta-Fagu (2)

Zoti Agim Fagu falënderoi Presidentin Meta “për fjalët, të cilat ndoshta disa herë i kalonin kufijtë e së vërtetës, por le ta gjykojnë të tjerët dhe ju falënderoj dhe për atë që të gjithë këtë respekt dhe dashuri të shqiptarëve që ju i ligjëruat në një dekret duke më vlerësuar mua me dekoratën më të lartë të vendit.”

Meta-Fagu (5)

“Do të uroja që kjo ceremoni të shërbente si një mesazh për shqiptarët kudo ku janë që ata të kuptojnë që kjo ceremoni u thotë atyre se kontributi i veçantë, por i vërtetë i qytetarëve në Shqipëri do të vlerësohet gjithmonë në mënyrën e duhur. Pavarësisht se dekorata është nominative, unë mendoj se ajo është dhe një mesazh për të gjithë djemtë dhe vajzat shqiptare të brezave tanë që me punën kontributin pasionin dhe talentin e tyre e transformuan Shqipërinë në arsim, shkencë, art, sport dhe kulturë.” – përfundoi mesazhi i zotit Fagu.

Meta-Fagu (4)

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb