Një ngjarje e rëndë është regjistruar rreth orës 11:00 të së shtunës në fshatin Gjerbës në Skrapar.

Një 55-vjeçare ka gjetur vdekjen në ujërat e përroit të Tomorricës në fshatin Rehovë në rrethin e Skraparit.

Nuk dihet nëse gruaja është vetëhedhur në përrua apo e ka marrë rrjedha e tij në përpjekje për të kaluar në anën tjetër.

Edhe pse ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:00 të së shtunës, Drejtoria Vendore e Policisë Berat nuk dha asnjë informacionin zyrtar për këtë ngjarje.

Reagimi erdhi pas 24 orësh, vetëm këtë të diel rreth orës 18:30 policia e Skraparit njoftoi se 55-vjeçarja është vetëmbytur.

Kujtojmë se ky reagim vjen pas publikimi të lajmit në rrjetet sociale nga kryetari i PL-së Ilir Meta.

Sipas policisë, gruaja rezulton me probleme të shëndetit mendor dhe kishte kërcënuar disa herë se do të mbytej në lumë.

Mbi trupin e viktimës Sheqere Llahi është kryer edhe autopsia mjeko-ligjore, që nuk ka konstatuar shenja dhune.

Viktima ishte banuese në fshatin Gjerbës në Skrapar dhe pas largimit të saj nga banesa, bashkëshorti ka kryer menjëherë denoncimin në Komisariatin e Policisë Skrapar, por as ky informacion nuk është bërë publik nga policia, që tashmë deklaron se grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Denoncimi i kreu të Partisë së Lirisë, Ilir Meta:

Ngushëllimet më të sinqerta për familjen Llari nga Rehova e Skraparit për humbjen e njeriut të tyre të dashur në përpjekje për të kaluar lumin e Tomorricës!
Braktisja e njerëzve të kësaj zone dhe mungesa e urës u bënë shkaktarë të humbjes së jetës!
Me papërgjegjshmërinë dhe hajdutërinë e saj “Rilindja” po bëhet shkaktare e këtyre tragjedive!

Njoftimi i Policisë Skrapar:

Më datë 21.01.2023, në fshatin Gjerbës, Skrapar, në ujërat e lumit në fshatin Rehovë, Skrapar, dyshohet se është vetëmbytur në ujë, shtetasja Sh.Ll., 55 vjeçe, banuese në fshatin Rehovë, Skrapar.

Trupi i pajetë i 55-vjeçares është nxjerrë nga uji, dhe nga këqyrja paraprake e trupit të viktimës, nuk janë konstatuar shenja dhune.

Për shtetasen Sh.Ll., më datë 21.01.2023, ka njoftuar bashkëshorti i saj se është larguar nga banesa. Nga deklarimet e familjarëve shtetasja Sh.Ll., prej disa kohësh kishte shfaqur shenja depresioni, dhe në vazhdimësi ishte shprehur se do të mbytej në lumë.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, për veprime të mëtejshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: