Anëtari i Kryesisë së PD, Fitim Zekthi në rubrikën ‘Opinion’ në ‘News24’ foli për zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit.

Ai u shpreh për një bashkëpunim të mundshëm të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe presidentit të Republikës Ilir Meta, ndërsa shtoi se kjo mbetet për t’u parë.

‘Berisha duket se është shumë pranë zotit Meta. Partitë e tjera të koalicionit opozitar po përpiqen të qëndrojnë në pozitat e një opozitë institucionale që duken se nuk do t’i bashkohen Berishës. Nëse do të ketë një marrëveshje të PD me këto parti do të ketë edhe terma për të parë se si do të funksionojë. Koha do të tregojë se pavarësisht lëvizjes së Berishës, PD është ka kryetar zotin Basha dhe partitë e tjera të vogla do të jenë më pranë PD duke u përpjekur të ruajnë integritetin e tyre. Koha do të tregojë që Basha dhe PD janë e vetmja alternativë serioze’, tha ai.

Gjatë bisedës në studio ai gjithashtu u shpreh se nga opozita janë së paku dy kandidatë. Më tej theksoi se politika në Shqipëri e ka pasur të vështirë të reflektojë dhe të pranojë humbjet.

‘Nga opozita do të kemi së paku dy kandidatë. Fatkeqësia jonë në këto zgjedhje është që opozita do ta ketë të vështirë të synojë të fitojë një Bashki. Nëse do kemi dy kandidatë është disi e pamundur edhe pse ka shanse reale. Në këto 30 vite është dëshmuar se politika ka qenë e pacipë sa i përket diskursit publik. Edhe në këtë rast çfarëdo që të ndodhë në këto zgjedhje do të jetë e vështirë të ketë reflektim publik. Dua të theksoj se kjo qeveri duhet rrëzuar sepse kjo qeveri është më e keqja që ne kemi pasur në gjithë këto vite. pra ka një bashkëpunim me krimin që nuk është parë në 30 vite’, tha ai, ndërsa shtoi se Sali Berisha ka dështuar dhe lëvizja e tij po ashtu ka dështuar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb