Nga: Skënder MINXHOZI
Kanë avancuar secili sipas axhendës së tij personale, në një terren i cili në fakt lejon pak hapësirë për lojra vetjake. Por mesa duket Rama dhe Meta, po preferojnë të bëjnë një seancë “tërheqjeje litari” edhe në një sport të vështirë e delikat, siç është paketa e marrëveshjeve mes Shqipërisë dhe Greqisë, e cila pritet të nënshkruhet në pranverë. Negociatat e qeverisë me palën greke duket se kanë avancuar. Tashmë palët e kanë të qartë se cilat do të jenë konturet e secilës prej marrëveshjeve, për tema të nxehta apo edhe të natyrës teknike, që presin të shkrijnë akullin historik mes dy kryeqyteteve.

Dalja kundër e presidentit për dhënien e plotfuqisë së negociatorëve të Marrëveshjes detare, shënon një gjest të fortë të Ilir Metës. Gjithçka ndodh në një situatë të ndezur mes kreut të shtetit dhe ish-partisë së tij nga njëra anë dhe kryeministrit Rama e maxhorancës nga ana tjetër. Meta pretendon se ka të drejtë të ketë një këmbë brenda bisedimeve greko-shqiptare, për shkak të postit që mban dhe në funksion të lejes për negociata që do të lëshojë. Ai kapet pas vendimit të fundit të Kushtetueses për Detin dhe kjo i jep atij një pozicion të qartë bllokues mbi të gjithë procesin.

Qeveria nga ana e saj pretendon të avancojë në bisedime për të kapur afatin e prillit, kur Rama dhe Cipras do të pijnë shampanjën e paketës së marrëveshjeve, duke shtuar presionin mbi kreun e shtetit për të mos penguar mbylljen e marrëveshjes detare. Por kryeministri duket se ka një pozitë dukshëm më delikate se Meta, pikërisht për shkak të qëndrimit të tij refraktar gjatë raundeve të bisedimeve me palën greke. Megjithëse e ka parë se Cipras ka mbajtur qëndrime përfshirëse me spektrin politik grek dhe presidentin e atjeshëm, Rama nuk ka bërë ndonjë gjest komunikimi të drejtpërdrejtë (me aq sa dihet publikisht), me Ilir Metën apo Lulzim Bashën. Ai ka preferuar të flasë përmes shkresave të ministrisë së jashtme dhe jo drejtpërdrejt me presidencën dhe opozitën.

E meqë dihet se mungesa e komunikimit është nëna e thuajse të gjitha të këqiave në politikën tonë pas vitit 1990, edhe qëndrimi i Metës është ngurtësuar me kalimin e ditëve, pa folur pastaj për Bashën, që s’e ka pasur aspak të vështirë ta etiketojë me njëqind epitete marrëveshjen, edhe pa ditur asnjë rresht të saj!

Kjo përballje në distancë tashmë nuk është më e tillë. Dalja publike e Metës me refuzimin e dhënies së lejeve të negociimit, i sjell dy palët në një pozicion me disa të panjohura. Ilir Meta u përpoq të jetë sa më i sjellshëm dhe fjalëëmbël ndaj kryeministrit grek. Duket qartë se ai ka vetëm një merak në këtë mes: të mos djegë kreditet pozitive që ka krijuar me Athinën zyrtare gjatë viteve kur Rama, Bushati dhe Idrizi “kërcenin” valle çame mbi tryezat e parlamentit! Investimi që Meta ka tek vendet fqinje, ka qenë përherë një element krucial i formatit të tij si lider politik.

Nga ana tjetër, duke e pasur të qartë se nuk mund ta tërheqë fort litarin e bllokimit me grekët, ai gjithashtu është i tunduar në maksimum që ta sabotojë sa të mundet procesin që do të nxirrte Ramën si paqebërës mes Greqinë, pasi e sulmoi me çfarë i erdhi për dore gjatë katër viteve të qeverisjes së parë. Është kjo një pozitë delikate e kreut të shtetit, të cilën ai duket se do ta zgjidhë duke vigjëluar mbi çdo lëvizje dhe zhvillim që do të sjellin orët e ardhshme. Duket e vështirë që obstruksioni i Metës të zgjasë deri në prishjen e marrëveshjes.

Në të njëjtën pozitë ndodhet edhe Edi Rama. Nga njëra anë ai ka dëshirën e ethshme për ta mbyllur sa më parë negociatën me palën greke, e kjo për disa arsye: anullimi i Ligjit të Luftës, Marrëveshja e re detare, një zgjidhje kompromisi për pronat çame dhe ringrohja e një klime të acartë marrëdhëniesh, të cilën e prodhoi po vetë me koshiencë të plotë gjatë katër viteve të shkuara.

Por Rama ka gjithashtu një këshilltar të keq në këtë moment delikat: sedrën e tij të pakufishme, si person dhe si lider politik, e cila e shtyn të mos e ndajë me askënd procesin e bisedimeve me grekët. Në sytë e tij, opozita e mundësisht edhe Meta me LSI, duhet të figurojnë në librat e historisë si pala që tentoi ta shiste, e jo ta ndante drejt Detin me fqinjët jugorë. Ashtu siç dëshëron që ata të njihen si gjenerata e “politikës së vjetër”, e cila nuk mundi ta heqë dot ligjin e Luftës. Një demarsh ku ka dështuar i pari Ramiz Alia e pas tij, e gjithë aradha e politikës shqiptare këto 30 vjet. Rama kërkon të jetë guri kilometrik i epokës së re të marredhenieve shqiptaro-greke.

Kjo pozitë e lakmueshme, e bën Ramën hermetik dhe krejt të kundërt me helenin Cipras, i cili me shumë gjasë përjeton fare pak nga dëshirat për shpagim që venë në lëvizje klasën e sotme politike shqiptare. Dhe Ramës i duhet të lëvizë shpejt. Por për këtë i duhet një hapje ndaj institucionit të presidentit, i cili tani ka vënë traun dhe thasët me rërë tek dera e institucionit në Bulevardin qëndror të Tiranës. Mënyra sesi ato thasë do të hiqen, do të na tregojnë sesa të përgjegjshme janë të dyja palët në këtë vrapim me pengesa, drejt një ere të re marrëdhëniesh me Greqinë fqinje./Javanews.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: