TIRANE- Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta priti sot Ministrin e Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Srđan Darmanović, me të cilin vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve fqinje si strategjike për tërë rajonin. Kryetari i Kuvendit, Meta i uroi suksese në detyrën e re Ministrit të Jashtëm, Darmanović duke e siguruar atë për mbështetjen e plotë të Kuvendit të Shqipërisë në procesin e integrimit euro-atlantik të vendit fqinj.

Meta u shpreh se si Shqipëria ashtu edhe Mali i Zi kanë një destinacion të përbashkët dhe theksoi se “stabiliteti i Malit të Zi është stabiliteti ynë dhe i shërben mbarëvajtjes së paqes në tërë rajonin e Ballkanit ku të gjithë vendet duhet të punojnë më ngushtë me njëri tjetrin”.

Ministri i Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Srđan Darmanović shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë dhe vlerësoi rolin e Meta në shërbim të forcimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe në interes të avancimit të perspektivës euro-atlantike të të dy vendeve fqinje. Në këtë kuadër u vlerësua ratifikimi i menjëhershëm i protokollit të anëtarësimit të Malit të Zi në NATO nga ana e Kuvendit të Shqipërisë gjatë muajit qershor 2016.

Në përfundim, Meta dhe Darmanović ndanë bindjen e përbashkët se forcimi i perspektivës euro-atlantike të të gjithë vendeve tona fqinje i shërben paqes, sigurisë dhe stabilitetit të Evropës Juglindore, veçanërisht në këto momente të rëndësishme zhvillimesh globale.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb