TIRANË

Deputeti i PS Alket Hyseni deklaroi në “Frontline” në News24 se Ilir Meta do të jetë në duart e drejtësisë në një formë apo tjetër. Duke folur për nismën e PS ai tha se nëse parlamenti voton me 2/3 dhe Kushtetuesja do ketë elementët e duhur për të dhënë një vendim për shkarkimin e Presidentit.

Sipas Hysenit, nëse komisioni do të konstatojë dhe elementë penalë do t’ia përcjellim Prokurorisë së Përgjithshme kërkesën dhe do të procedohet nga ata. Ajo që ai garantoi është që nëse procedura do të vijojë do të ketë një procedurë kushtetuese për shkarkimin e Presidentit të Republikës. “Kjo duhet urgjente, pjesa tjetër besoj që Ilir Meta do të jetë në duart e drejtësisë në një formë apo tjetër”, tha Hyseni.

Cilën palë kanë favorizuar deklaratat e Presidentit?
Unë nuk u ndala tek pjesa e shkeljes së rëndë kushtetuese përsëri që është kahu politik i marrë nga Presidenti. Presidentit të Republikës me Kushtetutë i ndalohet të merret me politikë, duhet të jetë mbi palët. Presidenti i Republikës ka marrë kah politik hapur. Nuk ka asnjë dyshim, edhe ata që e mbrojnë presidentin, ata pak të forcës së vet politike dhe ata bien dakord që Presidenti ka bërë fushatë. Presidenti e ka nisur keq. Në zgjedhjet e vitit 2017 ishte i sapozgjedhur por nuk kishte hyrë ende në detyrë dhe atëherë bëri thirrja nga Lezha për marrjen e armëve edhe pse nuk iu lejohet.

Së pari nuk ka paralelizëm mes Presidentit dhe Kryeministrit nga pikëpamja kushtetuese. Kryeministri mund të bëjë deklarata politike dhe kërkoi ndjesë.
Presidenti i Republikës nuk mund të bëjë fare deklarata politike aq më pak për armatosje. Hyn tek veprat penale, hyn dhe tek një kundravajtje e kodit zgjedhor.
Kushtetuta e përcakton Presidentin si Kryetar Shteti kurse kryeministrin si person politik i cili bën fushatë elektorale dhe mban përgjegjësi për deklaratat e tij.

Kurse Presidenti nuk e ka këtë luks fare, i ndalohet me kushtetutë të bëjë deklarata politike. Dënohet thirrja për veprime të dhunshme, për sfurqe, për armatosje, për prerje duarsh. Nuk thashë se ishte gjë e mirë ajo që bëri zoti Rama, por e pranoi.

Agresiviteti ndaj ndërkombëtarëve?
Këtu dhe e tejkaluam ndoshta dhe kohën para ‘90 ku etiketohej Amerika si e rrezikshme, ku Presidenti flet për mundësi që ta vrasin, ku flet për raketa, ku flet për komplote. Nuk është kjo arsyeja e vetme, por kjo është një nga arsyet e shumta që na bën ne të nxitojmë sepse për ne janë shumë të rëndësishme marrëdhëniet me SHBA, me BE. Ka një koherencë goditjesh ndaj gjithë përfaqësisë diplomatike perëndimore. Kushdo që nuk mendon si Presidenti etiketohet i blerë nga Rilindja, nga bandat e Rilindjes, i shitur, nuk shohin mirë pasqyrën dhe arriti kulmin aty ku thanë që janë pjesë e një komploti sllavo-amerikan për eliminimin e Presidentit. Në këtë kuptim hajde ta mbrojmë Presidentin që qenka kaq i rrezikuar, hajde ta çojmë në pension. Aty besojmë se nuk do përbëjë rrezik për askënd dhe as për veten e tij.

Deklaratat e Presidentit…
Kemi një material voluminoz të gjitha deklaratave të tij zyrtare, deklarata me stafin, i cili flet në emër të Presidentit. Me sulmin që po i bëhet individualisht dhe personalisht elementëve të caktuar të gazetarisë, përtej fenomeneve, në sferën e tyre private, familjare, personale, ekonomike. Një tërësi veprimesh që nuk ka më asnjë element dinjiteti për atë institucion.

Ju prisnit dorëheqjen e presidentit?
Ne që e njohim, nuk jemi naiv dhe e dinim që nuk do ta jepte. Nuk ishte surprizë.

Çfarë veprash penale përbëjnë këto thirrje?
Në kodin penal është nxitja e dhunës, thirrje për dhunë për përmbysjen e rendit kushtetues. Janë dy vepra penale. Njëra shkon nga gjobë deri në 3 vjet, tjetra nga 10-15 vite burg. Po kjo nuk është në dorën tonë. Nuk jemi ne akuza publike për këtë. Nëse komisioni do të konstatojë dhe elementë penalë do t’ia përcjellim Prokurorisë së Përgjithshme kërkesën dhe do të procedohet nga ata. Ajo që unë garantoj është që nëse procedura do të vijojë do të kemi një procedurë kushtetuese për shkarkimin e Presidentit të Republikës. Kjo duhet urgjente, pjesa tjetër besoj që Ilir Meta do të jetë në duart e drejtësisë në një formë apo tjetër.

Çfarë do të thotë kjo?
Secili nga ne është në dorën e drejtësisë për veprimet apo mosveprimet që bën. Kështu që edhe Ilir Meta dhe kushdo nga politikanët do të përgjigjet dhe do të mbajë përgjegjësi për pasojat që krijon me veprimet e tij.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të jetë në favor të PS?
Nuk e paragjykoj fare. Jam i bindur që nëse parlamenti do të votojë me 2/3 dhe Gjykata Kushtetuese do ketë elementët e duhur për të dhënë një vendim për shkarkimin e Presidentit.

Gjykata Kushtetuese pritet të shprehet edhe për dekretin e Presidentit Ilir Meta për zgjedhjet e 30 qershorit, lokale?
Janë një sërë çështjesh për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të cilat kanë sjellë një problematikë mes Presidencës dhe Republikës Parlamentare. Sa më shpejt të shprehet Gjykata Kushtetuese aq më mirë do jetë për vendin tonë, në marrëdhënien mes institucioneve.

Sa janë gjasat që të kemi përsëritje të pjesshme ose të plota të zgjedhjeve lokale?
E para nuk mendoj që aty ka një kërkim për përsëritje të pjesshme. Aty kërkim ka të bëjë me pavlefshmërinë totale të zgjedhjeve. Nuk ka asnjë element për një pavlefshmëri të zgjedhjeve. Në gjykimin tim ishte në shkelje të Kushtetutës flagrante, sikurse e ka faktuar dhe Venecia, Presidenti i Republikës me zhdekretimin e datës së zgjedhjeve dhe dekretimin e një date tjetër. Nuk mendoj që do të ketë një lajm të ri nga Gjykata Kushtetuese në raport me zgjedhjet. Ajo që presim nga Gjykata kushtetuese është vendosja e disa interpretimeve kushtetuese për të mos lejuar më në të ardhmen që individë të caktuar, institucione të caktuara të dalin nga shinat e tyre.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb