Kryeministri Edi Rama tha se Presidenti Ilir Meta duhet shkarkuar, por një vendim i tillë nuk do të merret, për shkak se Komisioni i Venecias ka rekomanduar se shkeljet e tij nuk janë aq të rënda.

Ndonëse për kryeministrin shqiptar rekomandimi i Venecias nuk është i drejtë dhe se, sipas tij, qeveria ka të drejtë kur thotë se shkeljet e Presidentit janë shumë të rënda, Rama sqaron se ai nuk përfaqëson vetëm disa njerëz, por shtetin shqiptar, dhe për këtë arsye duhet të respektojë Komisionin e Venecias.

“Ne kemi qenë dhe mbetemi gjithmonë për dialog, s’kam refuzuar unë ndonjëherë të ulem me Lulzim Bashën, por ka refuzuar ai në vijimësi të ulet me mua. Dhe me idenë gjithmonë të pengmarrjes, por peng PS dhe qeverinë tonë nuk e merr dot askush në gjithë botën. E para iu them atyre që e komentojnë këtë vendim si dnryshim të kursit tonë në raport me Ilir Metën, jo nuk është kështu. Ne mendojmë se Meta duhet shkarkuar, por ne jemi ndryshe nga ju. Ne nuk themi se jemi vetëm ne dhe bëjmë si të duam.

Komisioni i Venecias na e ka dhënë këtë fjali para syve, se shkeljet nuk janë aq të rënda. Ne mendojmë se janë shumë më të rënda, por në respekt të së vërtetës se ne nuk i kemi ngritur asnjëherë vendimmarrjet tona mbi të drejtën e pagabueshmërisë. Mbase kanë të drejtë ata, edhe pse unë mendoj se kemi ne të drejtë, por ne nuk përfaqësojmë vetëm disa njerëz, por shtetin shqiptar seriozisht. Pra, Ilir Meta meriton të shkarkohet, por përderisa kemi këtë rekomandim të Venecias, atëherë i nënshtrohemi kësaj”, tha Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb