TIRANË

Kandidati i propozuar nga Presidenti i Republikës Ilir Meta për kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit Petraq Milo ka qenë sot në seancë dëgjimore në komisionin e ekonomisë.
Por pas paraqitjes së kandidaturës dhe CV-së së tij, deputetja e PS-së Evis Kushi i ka kërkuar përgjigje për tre pika kandidatit Milo.

Ajo tha se në CV mungojnë të dhënat për detyrën që ka mbajtur nga vitit 1988 deri në vitin 1991. Po kështu sipas saj, Milo gjatë karrierës së tij ka mbajtur një funksion në Bankën e Shqipërisë në kundërshtim me ligjin pasi ka qenë kandidat për anëtar të Këshillit Kombëtar të PD-së. Më tej ajo kërkoi dhe arsyet e dorëheqjes nga posti në BSH.

Por Milo tha se sipas ligjit në CV duhet të jenë 10 vitet e fundit, ndërsa ai ka dhënë informacione për 20 dhe ka mohuar që ka dhënë dorëheqjen nga BSH.

“Në periudhën 88-91, kam qenë drejtor i drejtorisë ekonomike të kombinatit të autotraktorëve. Funksioni në Bankën e Shqipërisë është para PD. Nuk kam dhënë dorëheqjen nga Banka e Shqipërisë. Në punën time kam qenë model për të qenë bashkëpunues, për të mbështetur çdo qeveri. Nuk ka pasur asnjë qëndrim politik në punën time”, deklaroi Milo.

Edhe këshilltari ligjor i Presidentit të Republikës Bledar Dervishi, deklaroi se tre konstatimet e kuvendit nuk janë të mbështetura në ligj.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb