TIRANË

Presidenti i Republikës Ilir Meta deklaroi sot se situata e krijuar në Kakavijë është vetëm për shkak të papërgjegjshmërisë së qeverisë ndaj shtetasve të saj. Ai iu kërkoi ndjesë qytetarëve që pritën me ditë të tëra në emër të shtetit shqiptar.

“Ditët e fundit të gjithë jemi tronditur nga situata e jashtëzakonshme humanitare që u krijua në Kakavijë, ku mijëra emigrantë dhe shtetas shqiptarë, fëmijë e të moshuar, u lanë me ditë të tëra të braktisur dhe në kushte tejet të vështira.

Kam qenë gjithmonë dhe vazhdoj të mbetem bashkëpunues me qeverinë, për t’u bërë pjesë e sensibilizimit e duke vepruar dhe apeluar vazhdimisht mbi përgjegjësinë që secili duhet të marrë për të kapërcyer së bashku, me sa më pak kosto, situatën e pandemisë COVID-19 në Shqipëri.

Situata e krijuar në Kakavijë ka të bëjë vetëm me përgjegjësitë e paushtruara në kohën e duhur nga ana e qeverisë shqiptare ndaj shtetasve të saj.

Ashtu siç ka ndodhur shpeshherë, qeveria gjen justifikimet duke drejtuar gishtin nga ana tjetër e kufirit ndërkohë që është përgjegjësia e saj parësore të marrë të gjitha masat dhe të kujdeset në kohën e duhur për për shtetasit e saj.
Çfarë informacioni dhe sqarimi u është dhënë njerëzve që udhëtojnë jashtë vendit dhe në mënyrë të veçantë atyre që udhëtojnë për në Greqi?
Çfarë paralajmërimesh dhe parashikimesh në kohën e duhur ka bërë qeveria shqiptare?
A ka patur ndonjë njoftim zyrtar nga Ministria e Europës dhe Punëve të Jashtme mbi kuotën e leje kalimit prej 700 personash në ditë?
Përgjegjësia është vetëm mbi qeverinë shqiptare dhe shtetin.
Radha të gjata ka patur edhe në situata normale pasi pika e kalimit në Kakavijë mban një ngarkesë mjaft të madhe në qarkullimin me shtetin fqinj, dhe tradicionalisht muaji gusht mbetet tepër i ngarkuar, aq më tepër në kushtet e sivjetshme të jashtëzakonshme të pandemisë, ku kërkohej një trajtim krejt i veçantë, përmes informimit, parapërgatitjeve dhe planifikimeve në mënyrë që të parandalohej ajo që ndodhi dhe që i tronditi të gjithë.

Radhët e gjata kilometrike të shqiptarëve në kufi, sidomos në kushtet e pandemisë janë të pajustifikuara nga autoritetet tona.

Një qeveri e përgjegjshme nuk reagon pas krijimit të situatave të jashtëzakonshme, por ajo i parandalon situata të tilla që cenojnë jo vetëm integritetin dhe dinjitetin e shtetasve, por rrezikojnë edhe shëndetin e mijëra qytetarëve që kaluan ditë dhe netë të tëra në kushte të vështira.

Askush nga institucionet nuk i njoftoi qytetarët para se të niseshin mbi kushtet e hyrjes në kufirin me vendin fqinj.
As për tamponët në 72 orët e fundit, as për rezultatin e përkthyer në anglisht, dhe asnjë informacion tjetër nuk u dha. E për më tepër qeveria fajësoi edhe vetë qytetarët për krijimin e radhëve të gjata.

Kjo është e pafalshme dhe e papranueshme sepse është vetëm papërgjegjshmëri.
Falënderoj median në mënyrë të veçantë, për rolin e jashtëzakonshëm që luajti për informimin dhe sensibilizimin mbi atë situatë dhe vuajtjet e qytetarëve shqiptarë.
Falënderoj gazetarë të cilët u erdhën në ndihmë shumë prej familjeve dhe madje në një rast edhe falë kontributit të tyre shpëtoi jeta e një fëmije 11 muajsh.
Ne jemi një vend rekord për sa i takon numrit të emigrantëve, ndaj të gjithë dhe në mënyrë të veçantë Kryeministri, Ministria e Jashtme, Ministria e Brendshme, Ministria e Shëndetësisë, për vetë kushtet e pandemisë, dhe të gjitha strukturat kryesore duhet të ndjekin me përparësi lëvizjen dhe qarkullimin e shtetasve tanë.

Duhet të freskojnë dhe të përcjellin në mënyrë të përditshme informacionin mbi lëvizjen jashtë kufijve dhe mbi të gjitha qeveria duhet të sigurojë tamponë falas për qytetarët tanë.

Një tampon prej 120-140 eurosh është i papërballueshëm nga një familje me disa pjesëtarë.
Qeveria shqiptare duhet të subvencionojë tamponët dhe të marrë masa të menjëhershme që situata e krijuar në Kakavijë të mos përsëritet më në të ardhmen në asnjë pikë të kalimit të kufirit.
Vendi ka nevojë sot, më shumë sesa kurrë për përgjegjshmëri dhe përkujdesje ndaj të gjithë shtetasve tanë.
U kërkoj ndjesë si President i Republikës, të gjithë qytetarëve tanë, të cilët kaluan ato ditë dhe ato netë me sakrifica të jashtëzakonshme!”, deklaroi Meta.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb