Zhvillimet e fundit politike, me kallëzimin që Presidenti Ilir Meta i bëri Kuvendit në SPAK, si dhe takimi i ambasadores amerikane, Yuri Kim, me kryeministrin Edi Rama, ishin temë diskutimi në emisionin e sotëm “Pikat mbi i”, në News24.

Analisti Artur Zheji me këto qëndrime Meta po i tregon opinionit publik se nëse shkarkohet nga Gjykata Kushtuese, do të jetë në krye të aksionit dhe protestave. Sipas tij, ajo që i komplikon gjërat është pikërisht takimi i ambasadores Kim me Ramën, pasi tregon se ky i fundit është sërish një hap përpara.

Nga ana tjetër, drejtori i informacionit në “News24”, Robert Rakipllari, i cilësoi tejet shqetësuese shkeljet proceduriale që Presidenti Meta ka denoncuar ndaj Kuvendit.

Pjesë nga diskutimet:

Zheji: Rëndësia e këtyre daljeve të shpeshta të Presidentit në media është sepse ai bën të qartë për opinionin publik se ka humbur besimin te institucionet, si Kuvendi, ekzekutivi dhe po lëkundet edhe te besimi i institucioneve të drejtësisë. Ai mendon se tek opinioni publik do të gjejë forcën për të qenë qëndrestarë i vendimit të Gjykatës Kushtetuese. E gjithë kjo mund të lexohet si një akt politikbërje e Presidentit. Kjo do të ketë ose jo një reperkusion në dinamikën e politikës shqiptare, kjo është çështja. Taktika e Ramës është heshtje e plotë kundrejt akuzave pa dorashka që Presidenti bëri dhe sot, që pas gjithë këtij teatri është Rama. Ka forcë Ilir Meta ta zhbllokojë situatën? Ai po tregon se nëse lirohet nga posti i Presidentit, është menjëherë në krye të aksionit, protestave.

Rakipllari: Ajo që është e qartë për mua është që presidenti shkarkohet me jë shumicë kushtetuese. Nga kjo pikëpamje, çështja që ka shkuar në Gjykatë Kushtetuese nuk ka shkuar nga një shumicë përfaqësuese me 2/3. Duhet të ketë një shumicë dhe jo thjeshtë një parti politike për të çuar çështjen në gjykatë. Duke pasur parasysh që opozita e vërtetë dogji mandatet, themi qartë që Presidenti është shkarkuar nga PS. Në këtë kuptim, Presidenti ka shkuar në Gjykatën Kushtetuese si i shkarkuar nga PS dhe jo nga Parlamenti i Shqipërisë. Kështu ne kemi vullnetin e PS për të shkarkuar Presidentin.

Ajo që po bën Meta deri tani është thjesht një betejë juridike. Kemi palën në Kushtetuese që kërkon shkarkimin e tij, dhe palën e Presidentit që kërkon mbrojtje. Kështu, kemi një palë më transparente, që është pala e presidentit. Ajo që Presidenca pretendon për falsifikim, ajo është diçka e vërtetë, sepse Parlamenti ka qenë në panikun e afateve dhe në këtë kuptim ka ndërruar data 5, 6 maj, etj. Në faqen e Parlamentit kemi një firmë tjetër, në Kushtetuese ka shkuar një datë tjetër. Nga pikëpamja proceduriale ka shumë probleme, ka pasaktësi. Kemi një palë, që do të shkarkojë Presidentin e Republikës.

Zheji: Nuk jam dakord që Gjykata Kushtetuese është një pjesë e PS.

Rakipllari: Nuk e thashë këtë gjë. Gjykata Kushtetuese them që është produkt i reformës në drejtësi, por shkarkimin e Presidentit po e kërkon PS, jo 2/3 e Parlamentit.

Zheji: Për këtë platformë të pavlefshmërisë kushtetuese të Kuvendit, që mori vendimin për shkarkimin e Presidentit, jemi dakord. Nuk përmbushte një nga kriteret kryesore kushtetuese për të qenë Kuvend i ligjshëm. Është padiskutim një debat shumë i fortë që po bëhet në Gjykatën Kushtetuese dhe kjo për faktin që po kërkojnë shumë kohë. Duhet të themi se gjithmonë një mazhorancë në ikje bën emërime. Ne nuk mund të kontestojmë Gjykatën Kushtetuese si e tërë, por mund të themi që ka presione. Problemi është se çfarë do të ndodhë më pas? Nëse Ilir Meta do të ishte i sigurt që Gjykata Kushtetuese nuk do të merrte një vendim arbitrar, do të ishte i qetë. Meta ka humbur qetësinë. Po sot pamë që ambasadorja Yuri Kim takoi Ramën, me dashamirësi, duar mbi duar, dhe flasin për konfliktin në Ukrainë. Kjo e komplikon situatën. Tani këtu është një situatë më komplekse. Mendoj që një nga problemet e forta që ka Presidenti, por edhe opozita, është që nuk ka ditur, apo nuk ka mundur, të bëjë të lexueshme në mënyrën e duhur, sipas tyre, të situatës politike në Shqipëri. Nëse për ambasadoren amerikane, Rama është një partner i besueshëm, të cilit madje do i jepet shansi të takohet dhe me Blinken, kjo do të thotë se Rama është sërish një hap përpara. Do të kemi një turbulencë apo Rama do vazhdojë të heshtë? Ky është problemi.

Rakipllari: Ajo që po themi është që Presidenti shkarkohet në dy faza. Faza e parë është nga Parlamenti me një shumicë kushtetuese, që asnjë Parlament deri tani nuk e ka arritur. Këtu është konsumuar vetëm faza e parë e shkarkimit, që është bërë vetëm nga PS. Jemi në këtë situatë dhe tani çështja e takon fazës së dytë, Gjykatës Kushtetuese, që mendoj se ka tagrin dhe besueshmërinë për ta marrë këtë vendim. Por, shkeljet proceduriale që denoncon presidenti janë shumë shqetësuese.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb