TIRANË

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka reaguar përmes një postimi në facebook, lidhur kërkesën e Presidentit të Republikës së Shqipërisë për procedimin disiplinor të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Balla shkruan se kërkesa e Kreut të Shtetit nuk është e mbështetur në Kushtetutë dhe në ligj.

“Presidenti i Republikës duke u përpjekur të cenojë integritetin e Gjykatës Kushtetuese dhe të vendim-marrjes së saj, po vijon veprimet në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet. Akte këto, të cilat sollën dhe shkarkimin e tij nga Kuvendi i Shqipërisë.”- shkruan ndër të tjera Balla.

Postimi i plotë:

Lidhur me njoftimin e sotëm mbi një kërkesë të Presidentit të Republikës së Shqipërisë për procedimin disiplinor të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, vlerësoj se kërkesa e paraqitur nga ana e tij nuk është e mbështetur në Kushtetutë dhe në ligj.

Presidenti i Republikës duke u përpjekur të cenojë integritetin e Gjykatës Kushtetuese dhe të vendim-marrjes së saj, po vijon veprimet në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet. Akte këto, të cilat sollën dhe shkarkimin e tij nga Kuvendi i Shqipërisë.

Është mëse qartë që vendimet e një procesi në Gjykatën Kushtetuese nuk mund të jenë në përputhje me “interesat” e një kërkuesi apo grupeve të cilat preken nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, por vetëm në përputhje me Kushtetutën e ligjin, ndaj “pala e pakënaqur” nuk duhet të ndërmarrë akte të cilat pengojnë dhe vënë në provë sistemin e garancive të pavarësisë dhe paanshmërisë së Gjykatës Kushtetuese të një vendi.

Nëpërmjet kësaj kërkese të pabazuar, Presidenti i Republikës, kërkon të krijojë artificë ligjore lidhur me zhvillimin e proceseve të ardhshme pranë Gjykatës Kushtetuese, për të penguar, apo bllokuar zhvillimin e tyre.

Reforma në Drejtësi ka krijuar dhe po vijon të krijojë “shqetësime” të vazhdueshme dhe për rrjedhojë do të shoqërohet me reagime apo presione me mjete joligjore, me të cilat organet e reja të sistemit të drejtësisë duhet të përballen.

Çdo zyrtar publik duhet t’i përmbahet me përpikmëri  Kushtetutës dhe ligjeve, në mënyrë që të justifikojnë besimin e gjërë të publikut në Reformën e Sistemit të Drejtësisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: