TIRANË- Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ka kërkuar sot që Gjykata Kushtetuese të shprehet për ligjin e Vettingut sa më shpejt, pasi ky ligj është bazë për pavarësinë e drejtësisë.

Meta mori pjesë në Konferencën Vjetore të Avokatit të Popullit ku nënvizoi se reformat e ndërmarra gjatë viteve të fundit, përbëjnë një angazhim serioz dhe afatgjatë për një shoqëri ku respektohet dinjiteti njerëzor dhe ku e drejta për zhvillim duhet të fitojë një dimension të ri.

“Jo rastësisht edhe një ndër prioritetet më të rëndësishme lidhur edhe me axhendën tonë të ecjes më tej drejt anëtarësimit në BE është gjithmonë çështja e të drejtave të njeriut. Në mënyrë të veçantë do të veçoja këtu reformën në drejtësi si kryefjala e aktualitetit politik, pasi ajo është reforma më e rëndësishme nga zbatimi dhe suksesi i të cilës varet shumë edhe suksesi i të gjithë reformave të tjera. Jo vetëm atyre që kanë të bëjnë me 5 prioritetet kyçe, por në të gjitha aspektet, ndaj është mjaft e rëndësishme që sa më shpejt të kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese që do t’i hapë rrugën zbatimit të shpejtë të ligjit për Vetting-un dhe zbatimit e të gjithë kësaj reforme në një mënyrë sa më të suksesshme”, deklaroi Meta.

Kreu i Kuvendit tha se forcimi i zbatimit të ligjit në mënyrë të drejtë e të barabartë, është shumë i rëndësishëm, jo vetëm për të luftuar korrupsionin, jo vetëm për të forcuar institucionet dhe besimin e qytetarëve tek institucionet, por është një garanci thelbësore për të gjithë të drejtat e njeriut dhe garantimin në përfshirjen sociale.

Meta u shpreh se është e rëndësishme për politikanët dhe ligjbërësit të përkushtohen më shumë për zbatimin me sukses të “Axhendës 2030”, sepse ajo ofron një vizion të ri dhe transformues të zhvillimit të qëndrueshëm universal, të bazuar në të drejtat e njeriut, të ndjeshëm ndaj çështjeve të barazisë gjinore, të integruar, për një mjedis të shëndetshëm.

“Me këtë vizion, ‘Axhenda 2030’ përmban një premtim të përbashkët që askush të mos lihet pas, për të eleminuar diskriminimin dhe pabarazitë, dhe për të siguruar që objektivat në të ardhmen të arrihen për të gjithë, me një fokus të veçantë për ata që kanë mbetur në varfëri apo prapambetje përmes përfshirjes. Në zbatimin e kësaj axhende mjaft të rëndësishme, besoj se edhe në vendin tonë, hapen shanse të reja për forcimin e të drejtave të njeriut, në mënyrën se si ne i hartojmë dhe më pas i zhvillojmë politikat kombëtare, duke e ndërthurur aksionin tonë politik me aktorë të tjerë të domosdoshëm dhe të pazëvendësueshëm si institucionet e pavarura dhe organizatat e shoqërisë civile”, – tha Meta.

Ai theksoi se Kuvendi është përpjekur gjatë këtyre viteve të punojë më shumë në këtë drejtim, pasi beson në bashkëpunimin dhe rolin e institucioneve të pavarura e të shoqërisë civile, grupeve të interesit, si faktor kyç për zhvillimin social dhe ekonomik të vendit.

“Aktiviteti ynë është përqendruar në afrimin e mëtejshëm të publikut tek Parlamenti, pasi besojmë se një qasje e fortë dhe më e shëndetshme ndaj transparencës dhe përfshirjes së publikut në veprimtarinë e Kuvendit dhe të Komisioneve, i mundëson shoqërisë civile, mediave dhe aktorëve të tjerë për të debatuar, për të hetuar, por edhe për të sfiduar në mënyrën e ushtrimit të pushtetit gjithnjë në interes të qytetarëve”, – vijoi Kryetari i Kuvendit.

Gjithashtu, Meta theksoi se në rrethanat aktuale të zhvillimeve globale duhet të jetë në qendër të vëmendjes ndjeshmëria ndaj problemeve të larta sociale dhe frustrimeve shoqërore të cilat lidhen ngushtë me të drejtat ekonomike të qytetarëve, me të drejtat civile e politike, si dhe me të drejtën për zhvillim.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb