TIRANE- Në ambientet e brendshme të Kryesisë së Kuvendit, me rastin e 70-vjetorit të Çlirimit janë ekspozuar për publikun fotografi dhe video në kujtim të dëshmorëve të rënë gjatë Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare. Gjithashtu, janë ekspozuar edhe disa nga sendet personale të heronjve që janë trashëgimi e Muzeut Kombëtar.

Pikërisht këtë ekspozitë e ka përshëndetur sot së bashku me figura të ndritura të Luftës Nacional Clirimtare, kryeparlamentari Ilir Meta në një ceremoni zyrtare.

Në fjalën e tij të rastit, Meta u shpreh se nëse nuk do të kishte ekzistuar 29 nëntori i vitit 1944 nuk do të ekzistonte as 28 nëntori i 1912-ës.

“Ditë e veçantë kjo e 70-vjetorit të Çlirimit, ngjarje jubilare. Jemi sot vend anëtar në NATO, aspirojmë BE. Në themelet tona qëndrojnë vlerat e lirisë. Kam bindjen e plotë se pa 29 nëntorin e 1944 s’do kishim mundësi të festonim 28 nëntorin e 1912-ës”.

Meta shtoi më tej se kjo luftë i bën shqiptarët të mbajnë kokën lart dhe të ecin drejt të ardhmes së sigurt në BE.

“Kjo luftë na ndihmon ta mbajmë kokën lart, sakrificat e heronjve dhe dëshmorëve shkëlqejnë dhe sot. Jemi me fat që shumë prej tyre i kemi këtu, dëshmitarë të gjallë të një epopeje të lavdishme. Ata e rreshtuan Shqipërinë në anën e koalicionit fitues, na garantuan të ardhmen evropiane që po e ndërtojmë sot. Shqipëria Europiane është rruga jonë e sigurt”, tha Meta.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: