TIRANE – Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta mori pjesë në pritjen e organizuar në Pallatin e Brigadave me rastin e 15-vjetorit të Avokatit të Popullit. Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari i Kuvendit shprehu kënaqësinë që ishte i pranishëm në këtë përvjetor dhe uroi përzemërsisht me rastin e 15-vjetorit të themelimit të institucionit të Avokatit të Popullit.
Meta tha se është një ditë e shënuar dhe domethënëse, jo vetëm për Avokatin e Popullit, por edhe për të gjithë jetën institucionale dhe demokratike, “sepse sot kemi rastin dhe mundësinë të reflektojmë dhe të vlerësojmë kontributin e jashtëzakonshëm që puna e këtij institucioni ka dhënë ndaj jetës shoqërore dhe politike të vendit tonë”.
“Parashikimi i Avokatit të Popullit në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe themelimi i këtij institucioni të rëndësishëm, është një prej zhvillimeve më të rëndësishme për demokracinë tonë, duke hedhur themelet e një mekanizmi kushtetues në shërbim të interesave të popullit për të mbrojtur të drejtat, liritë dhe interesat e qytetarit shqiptar nga veprimet e parregullta dhe abuzive apo nga mosveprimet e organeve të administratës publike. Nëse hedhim sytë pas në zhvillimet e demokracisë sonë prej mbi dy dekadash, është e qartë se Parlamenti është në zemër të sistemit tonë demokratik. Por jemi shumë të ndërgjegjshëm se i vetëm, Parlamenti nuk mundet kurrsesi të sigurojë pjesëmarrjen aktive qytetare dhe nuk mundet të garantojë zbatimin në terren të ushtrimit të barabartë të të drejtave të njeriut”, -tha Meta.
Kryetari i Kuvendit theksoi se krijimi dhe funksionimi i institucionit të Avokatit të Popullit është një garanci mjaft e rëndësishme e kësaj hallke thelbësore të funksionimit të demokracisë.
“Ndaj, ne e mbështesim plotësisht aktivitetin dhe fuqizimin e mëtejshëm të këtij institucioni, i cili ndikon mjaft pozitivisht me rekomandimet e tij në procesin e zbatimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në Shqipëri, në përmirësimin e legjislacionit tonë sipas standardeve ndërkombëtare dhe në promovimin e parimeve të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, të llogaridhënies dhe efikasitetit të administratës dhe institucioneve të tjera ku Avokati i Popullit shtrin monitorimin e tij”, tha z. Meta duke shtuar se që prej themelimit të Avokatit të popullit, Shqipëria ka pësuar ndryshime rrënjësore dhe ka përjetuar zhvillime mjaft të rëndësishme, duke iu përshtatur kështu jo vetëm sfidave globale shoqërore dhe ekonomike, por edhe transformimit të jetës institucionale në drejtim të zbatimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe të sundimit të ligjit, si reflektim i procesit të përafrimit të standardeve të mirëqeverisjes me ato të Bashkimit Evropian.
“Më lejoni gjithashtu t’ju përgëzoj për rolin e rëndësishëm që Avokati i Popullit luan vazhdimisht në përmirësimin e infrastrukturës sonë demokratike dhe për presionin pozitiv që ju vazhdoni të ushtroni ndaj institucioneve publike duke rritur kështu ndjeshmërinë dhe përgjegjshmërinë e administratës ndaj qytetarit për respektimin e të drejtave dhe lirive të të gjithë individëve, grupeve vulnerabël të shoqërisë sonë, pavarësisht gjinisë, fesë, moshës, racës apo orientimit seksual, etj”, – tha Kryetari i Kuvendit.
Meta rikonfirmoi se Kuvendi i Shqipërisë e ka rritur ndjeshëm dhe dukshëm nivelin dhe cilësinë e bashkëpunimit dhe mbështetjes me institucionin e Avokatit të Popullit, sa i përket shqyrtimit të raporteve të posaçme të përcjella prej tij, përfshirjes në seanca dëgjimore për nisma të ndryshme ligjore për të cilat ky institucion ka dhënë rekomandimet e tij, por edhe në shërbim të forcimit të misionit të këtij institucioni kushtetues që mbron liritë dhe të drejtat e njeriut në vendin tonë.
“Siç e kemi bërë të qartë edhe përmes planit tonë të veprimit të përgatitur në zbatim të rekomandimeve të Progres-Raportit të fundit të Komisionit Evropian për Shqipërinë, Kuvendi mbetet plotësisht i angazhuar për rritjen e cilësisë së bashkëpunimit me Avokatin e Popullit si dhe përmes rritjes së mbështetjes financiare”, tha z. Meta duke shprehur bindjen e plotë për domosdoshmërinë e konsolidimit të mëtejshëm të misionit fisnik të Avokatit të Popullit.
Në fjalën e tij, Avokati i Popullit, Igli Totozani falënderoi Kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta, për bashkëpunimin ndërinstitucional.
“Edhe në emër të institucionit, unë doja t’ Ju falënderoja përzemërsisht për punën që ka filluar të zhvillohet midis institucionit tonë dhe Parlamentit, jo vetëm në diskutimet e raporteve të veçanta, por edhe në seancat e ndryshme dëgjimore që po zhvillohen, gjë që është një ndihmë e madhe për ne si institucion dhe për ekspertët tanë. Si Avokat i Popullit, si një Ombusman Parlamentar, në fokusin e punës tonë dhe të mandatit tonë, ne kemi natyrisht mbarëvajtjen dhe përmirësimin e vazhdueshëm të qeverisjes së mirë në Shqipëri dhe e kemi treguar dhe vazhdojmë ta tregojmë se është në vullnetin tonë, që bashkëpunimi me administratën publike, me Qeverinë, të jetë sa më pozitiv, të jetë sa më i frytshëm, në dobi të qytetarëve shqiptarë”, -tha Totozani.
Zv./Kryeministri Niko Peleshi e cilësoi krijimin e institucionit të Avokatit të Popullit 15 vjet më parë, si një moment të një rëndësie të posaçme në projektin për ndërtimin e një demokracie funksionale në vendin tonë. Peleshi tha se duke themeluar Avokaturën e Popullit, Kushtetuta e vitit 1998 e pajisi për herë të parë publikun shqiptar me një nga mekanizmat kyç të kontrollit dhe të ekuilibrit të pushteteve.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb