Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka dhënë një mesazh të fortë për paqen, teksa ka vizituar sot Katedralen Ortodokse “Ngjalla e Krishtit”, në Tiranë, në kuadër të fushatës për dhurimin e gjakut.

Përmes një mesazhi në “Facebook”, Meta thekson se “Edukimi i brezit të ri me mësimet e shenjta për paqen, dashurinë dhe jetën, nuk prekin vetëm zemrat e mendjet e besimtarëve brenda mureve të kishës, por janë mesazhe aktuale, sidomos për fëmijët e të rinjtë tanë, për t’i mbajtur larg veseve”.

Mesazhi i Metës:
Kënaqësi të vizitoja sot dy ambientet e reja në Katedralen Ortodokse “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, sallën e pagëzimit dhe atë të edukimit dhe socializimit të të rinjve.

Edukimi i brezit të ri me mësimet e shenjta për paqen, dashurinë dhe jetën, nuk prekin vetëm zemrat e mendjet e besimtarëve brenda mureve të kishës, por janë mesazhe aktuale, sidomos për fëmijët e të rinjtë tanë, për t’i mbajtur larg veseve dhe “sëmundjeve të kohëve moderne” siç janë droga, bixhozi, alkooli dhe egoizmi.

Me të drejtë Fortlumturia e Tij, Anastas Janullatos predikon se: “E kundërta e paqes nuk është lufta, por egocentrizmi”.

Mirënjohje dhe falenderim të veçantë për Kishën Ortodokse Autoqefale për kontributet dhe përkushtimin e veçantë për dekurajimin e fenomenit të shpopullimit të vendit, duke theksuar rëndësinë e rritjes së shpresës dhe promovimit të vlerave tona më të mira kombëtare, te fëmijët dhe të rinjtë tanë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb