TIRANË

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta në moshën 77-vjeçare për shkak të COVID-19 të mjekur Muharrem Nonaj.

Kreu i Shtetit shpreh hidhërim për lajmin e trishtë duke e cilësuar doktor Muharremin si një prej figurave më të dashura dhe të respektuara në krahinën e Skraparit dhe qarkun e Beratit.

Meta shprehet se ai ishte shembull frymëzimi për mjekët e rinj, patriot, qytetar dhe familjar model.
“Me hidhërim të thellë mësova lajmin e trishtë për ndarjen nga jeta të mjekut të nderuar, Dr.Muharrem Nonaj, një prej figurave më të dashura dhe të respektuara në krahinën e Skraparit dhe Qarkun e Beratit, i cili humbi jetën në betejë me COVID-19.
Në shërbim të qytetarëve për gati pesë dekada, Doktor Rrekja, siç e thërrisnim të gjithë, do të mbahet mend përherë për devotshmërinë heroike, përkushtimin e jashtëzakonshëm, humanizmin e rrallë dhe zemërgjerësinë e Tij të pashoqe, në ndihmë të çdo banori në nevojë në Skrapar e Berat, veçanërisht për mbrojtjen e shëndetit të tyre nga kjo pandemi e rrezikshme, që i mori jetën pabesisht.
Shembull frymëzimi për mjekët e rinj, patriot, qytetar dhe familjar model, kujtimi i Dr.Muharrem Nonaj, do të jetojë përherë në zemrat e të gjithëve ne, të cilët e njohëm nga afër.
Në këto momente tepër të vështira, për këtë humbje të pazëvendësueshme, ju shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera, bashkëshortes Shpresa, fëmijëve të tij, Dr.Blenardit, Matildës e Arlindit, kolegëve dhe të gjithë komunitetit të dashur të Qarkut të Beratit.
Lutemi, që shpirti i Tij të prehet në paqen e merituar!”, shkruan kreu i Shtetit.

  • foto galeri
  • foto galeri

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb