Presidenti Ilir Meta ka nderuar në Pilur të Himarët gjashtë Kapedanët e Bregut, Spiro Jorgo Koleka, Kolë Mërkuri, Nase Beni, Ismail Kuçi, Avdul Kuçi e Arif Mëhillaj që kontribuan në Luftën e Vlorës 100 vite më parë.

Meta thotë se do të nisë nderimet e gjithë atdhetarëve të shquar të Labërisë duke filluar nga sot me sheshin historik të Pilurit në Himarë.

Më tej Presidenti thekson se nuk ka etapë që himarjotët të mos kenë heronjtë , dëshmorët dhe kapedanët e tyre pasi geni i shquari i tyre i bën nder identitetit kombëtar.

 

 

 

STATUSI NGA ILIR MEtA

“Nga kjo baltë e kësaj toke
Merr një grusht e shtrydhe fort
Pika gjaku do kullojë
Luftën e madhe tregon”

Nuk ka më bukur se nga sheshi historik dhe kulturor i Pilurit, kështjellës së pamposhtur të patriotizmit, të nis nderimet e të gjithë atdhetarëve të shquar të Labërisë, të cilët 100 vite më parë, me Luftën e Vlorës, shkruan me trimërinë dhe burrërinë e tyre historinë më të lavdishme të kombit tonë.

Në mirënjohje dhe vlerësim për kontributin e shquar në mbrojtjen e interesave kombëtare, Pavarësisë, tërësisë territoriale dhe konsolidimit të shtetit shqiptar, të dalluar për guximin e trimërinë në organizimin e luftës kundër pushtuesve italianë në vitin 1920, pata kënaqësinë të nderoj gjashtë Kapedanët e Bregut, Spiro Jorgo Koleka, Kolë Mërkuri, Nase Beni, Ismail Kuçi, Avdul Kuçi e Arif Mëhillaj.

Në kronikën e ndritur të popullit shqiptar nuk ka etapë që himarjotët të mos kenë heronjtë, dëshmorët dhe kapedanët e tyre! Geni i shquar i bijve të Himarës i bën nder identitetit tonë kombëtar.

 

NJOFTIMI NGA PRESIDENCA

Presidenti Meta vlerëson gjashtë Kapedanët e Bregut në kuadër të kremtimit të 100-vjetorit të Luftës së Vlorës: Geni i shquar i bijve të Himarës i bën nder identitetit kombëtar shqiptar

16 gusht 2020
Pilur, Himarë

Në kuadër të kremtimit të 100-vjetorit të Luftës së Vlorës, Presidenti i Republikës, SH.T.Z  Ilir Meta zhvilloi një vizitë pune në Pilur të Himarës, ku vlerësoi gjashtë Kapedanët e Bregut, atdhetarë të spikatur të kësaj treve, me kontribut të shquar në mbrojtjen e interesave kombëtare, Pavarësisë, tërësisë territoriale dhe konsolidimit të shtetit shqiptar, të dalluar për guximin e trimërinë në organizimin e Labërisë në luftë kundër pushtuesve italianë në vitin 1920.

Fillimisht Kreu i Shtetit, i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë së Himarës, z.Gjergji Goro, Kryeplaku i fshatit Pilur, z.Dritan Bala, autoritete vendore dhe dhjetëra banorë të zonës, vizitoi disa nga ndërtesat historike dhe kishën e Shën Nikollës, si dhe u njoh me nismën e intelektualëve të fshatit për ndërtimin e shtëpisë së polifonisë, muzeut historik dhe librarisë.

Në një ceremoni solemne, të organizuar në sheshin kryesor të Pilurit, Presidenti Meta dekoroi Spiro Jorgo Koleka (pas vdekjes) me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”, si dhe Kolë Mërkurin (pas vdekjes) e Nase Beni (pas vdekjes) me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”.

Me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”, Presidenti Meta vlerësoi Ismail Kuçin (pas vdekjes), ndërsa me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, Arif Mëhillaj (pas vdekjes) dhe Avdul Kuçi (pas vdekjes).

Në fjalën e mbajtur gjatë kësaj ceremonie solemne, Presidenti Meta u shpreh:

“I nderuar kryetar i Bashkisë së Himarës  z.Goro, të nderuar përfaqësues të pushtetit vendor, banorë të bregdetit, të dashur piljurotë mirë se ju gjeta!

Jam i lumtur që jam mes jush në Pilur, në këtë kështjellë të jashtëzakonshme të patriotizmit, të polifonisë dhe bukurisë shqiptare!

E prita me shumë kënaqësi ftesën nga shoqata kulturore “Bejkë e bardhë” për të filluar nga Piluri të gjitha ceremonitë e nderimit të kapedanëve të Luftës së Vlorës, por edhe njëkohëshit të “kapedanëve” të këngës polifonike.

Nuk ka më bukur që nga ky shesh historik e kulturor, të nderosh ata që para 100 vjetësh shkruan me trimërinë dhe burrërinë  e tyre historinë më të lavdishme të kombit tonë. Ndërkohë, jam i bindur se kjo festë do të kishte të njëjtin shkëlqim dhe do të përcillte po ato mesazhe atdhetarie e nderimi nga çdo fshat i bregut të detit.

Në kronikën e lashtë të popullit shqiptar nuk ka etapë që himarjotët të mos kenë heronjtë, dëshmorët dhe kapedanët e tyre! Geni i shquar i bijve të Himarës i bën nder identitetit të shqiptarit.

Në panteonin e figurave të kombit ne krenohemi me personalitetet  e mëdhenj të kulturës dhe letrave si Petro Marko, Andrea Varfi, Dhimitër Anagnosti, Lefter Çipa, Robert Ndrenika, Spiro Duni e shumë të tjerë në të gjitha fushat e jetës.
Sot kemi ardhur të përulemi me nderim para kujtimit të kapedanëve dhe atdhetarëve himarjotë të Luftës së Vlorës, si Spiro Jorgo Koleka, Kolë Mërkuri, Nase Beni, Ismail Kuçi, Minella Koleka, Avdul Kuçi e Arif Mëhillaj.

Himarjotët si kurdoherë edhe në vitin 1920 shkruan një faqe të lavdishme! Çetat e Thanas Benit dhe Kolë Mërkurit luftuan me trimëri të pashoqe përgjatë gjithë bregdetit. Ishte një luftë kundër një hordhie pushtuese shumë herë më të madhe.

Komandanti poet Nase Beni do t’ju drejtohej pushtuesve jo vetëm me pushkë por edhe me vargjet e famshme:

Evropa shkruajn’ e thonë
Bëhet dyfek në Vlorë
Shqiptarët po luftojnë
Me një mbret dyzet milionë

Të dashur miq,

Tashmë jemi në prag të kulmit të festimeve me krenari të 100-vjetorit të Luftës së Vlorës. Ne kujtojmë përherë me shumë mirënjohje aktin heroik, dinjitetin, shpirtin e pamposhtur, sakrificat dhe vetëmohimin e luftëtarëve tanë.Vlerësimi ynë për këtë epope madhështore rritet përditë duke sjell ndërmend rëndësinë e madhe për fatet e Atdheut që pati kjo Luftë.

Pa triumfin e shqiptarëve në Luftën e Vlorës tërësia territoriale dhe shteti shqiptar rrezikoheshin të shkatërroheshin përpara furisë dhe orekseve gllabëruese të fqinjëve tanë!
Mos harrojmë se pema e lirisë lulëzon veç me gjakun, mundin dhe sakrificat e dëshmorëve dhe bijve më të mirë të një Kombi.

Nderimin tonë për këtë luftë po e nis pikërisht këtu në Pilur të Himarës, për të vazhduar në Kala të Tepelenës nga ku u nisën çetat e Jugut, më pas në Drashovicën e betejës finale, për të ndalur në Vlorën tonë heroike.

Janë pikërisht këto troje të mbushura me beteja për të cilat janë shkruar vargjet emocionale aq kumptiplotë dhe të vërteta :

Nga kjo baltë e kësaj toke
Merr një grusht e shtrydhe fort
Pika gjaku do kullojë
Luftën e madhe tregon

Lufta e Vlorës e filluar me Memorandumin e patriotëve  vlonjatë, e organizuar nga komiteti “Mbrojtja Kombëtare” dhe e drejtuar nga komisioni i Beunit ja doli të mposhtë pushtuesit dhe me një organizim perfekt, solli çlirimin e Vlorës dhe njëkohësisht e bëri realitet ëndrrën e Ismail Qemalit duke bërë përfundimisht funksional shtetin shqiptar.

Ishin betejat e përleshjet titanike me armikun të atdhetarëve të Vlorës, Tepelenës, Himarës, Gjirokastrës, Beratit, Mallakastrës dhe gjithë trevave të kombit tonë, por dhe diasporën, përfshirë atë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që me  mbarimin e Luftës së Parë Botërore, i dhanë fund njëherë e përgjithmonë copëtimit të trojeve shqiptare.

Lavdi heronjve të Luftës së Vlorës, lavdi kapedanëve dhe popullit të Himarës”, – u shpreh Presidenti Meta.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: