EGJIPT

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, nisi sot një vizitë zyrtare në Egjipt, ndërsa u prit me nderime të veçanta shtetërore nga Presidenti i Republikës Arabe të Egjiptit, Abdel Fattah El-Sisi.

Pas ceremonisë zyrtare të mirëseardhjes dhe intepretimit të himneve kombëtare, të dy Presidentët zhvilluan një takim kokë më kokë, dhe më pas vijuan me takimin e zgjeruar të dy delegacioneve. Presidenti Meta vlerësoi lidhjet e forta historike e kulturore dhe marrëdhëniet tradicionalisht shumë të mira historike, politike, kulturore dhe njerëzore midis dy vendeve e popujve tanë.

Duke iu referuar sfidave dhe interesave të përbashkëta në rajonin e Mesdheut, Presidenti Meta shprehu vullnetin për ta shfrytëzuar këtë vizitë, për hapjen e një kapitulli të ri në marrëdhëniet midis vendeve tona. Të dy Presidentët ndanë mendimin se mundësitë e bashkëpunimit ekonomik janë shumë më të mëdha se rezultatet aktuale dhe kuadri ligjor në fuqi është stimulues në këtë drejtim.

Marrëveshja e transportit detar, ajo e bashkëpunimit në fushën e kulturës dhe të tjera presin të gatshme e në përgatitje për nënshkrim do të kontribuojnë pozitivisht në këtë drejtim. Presidenti Meta e siguroi homologun El-Sisi se investimet egjiptiane janë të mirëpritura në Shqipëri.

“Shqipëria mund të jetë një portë hyrëse në rajonin e Ballkanit për sipërmarrjet egjiptiane”, – nënvizoi Presidenti Meta.

Kreu i Shtetit shqiptar dhe Presidenti El-Sisi shprehën mbështetjen e tyre për një shfrytëzim më të mirë të këtyre mundësive dhe mbledhjen sa më parë të Komisionit të Përbashkët Ndërshtetëror, që do të identifikojë të gjitha fushat e mundshme të bashkëpunimit.

Një vëmendje të veçantë të dy bashkëbiseduesit ua kushtuan edhe zhvillimeve në rajonet respektive. Presidenti Meta dhe Presidenti El-Sisi ndanë mendimin se bashkëpunimi e solidariteti në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm është i domosdoshëm për një rajon mesdhetar që zhvillohet në paqe dhe begati.

Presidenti Meta vlerësoi gjithashtu rolin e Egjiptit në arenën ndërkombëtare, duke e konsideruar aktor dhe partner qendror në rajonin e Lindjes së Mesme. Në fund, Presidenti Meta e ftoi Presidentin El-Sisi për një vizitë zyrtare në Shqipëri, ftesë që u pranua me kënaqësi.

Deklarata e plotë e Presidentit Meta:

“Shumë faleminderit President El-Sisi për ftesën tuaj dhe për mikpritjen tuaj të jashtëzakonshme!

Nuk mund ta vazhdoj më tej këtë deklaratë pa shprehur edhe një herë këtu për ju, por edhe për të gjithë popullin e Egjiptit dhe për familjarët e viktimave të aksidentit të sotëm, ngushëllimet më të sinqerta dhe më vëllazërore. Lutemi për shpirtin e tyre dhe uroj që të lënduarit të shërohen sa më parë.

Sot, pas takimit me Presidsntin El-Sisi jam  më i bindur në të ardhmen e shkëlqyer të marrëdhënieve midis dy vendeve tona, jo vetëm për planin bilateral, por edhe për çështjet më të rëndësishme ndërkombëtare në rajonin e Mesdheut dhe të gjitha çështjet për të cilat ne kemi një interes të përbashkët.

Lidhjet midis dy vendeve janë të hershme, janë shekullore, janë historike, miqësore kulturore dhe vëllazërore, ashtu sikurse edhe interesat e përbashkëta që kemi pasur në rajonin e Mesdheut dhe ato që kemi përsëri, përfshirë edhe sfidat.

Po kështu edhe në aspektin ndërkombëtar, vendet tona janë kontribuuese mjaft aktive për paqen dhe për sigurinë. Gjatë kësaj bisede, sikurse edhe Presidenti e shprehu, i kushtuam vëmendje nxitjes dhe gjallërimit të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar. Për këtë bashkëpunim ne kemi një kuadër shumë të mirë ligjor, që garanton investimet reciproke dhe që lehtëson bizneset duke i çliruar ato nga taksimi i dyfishtë.

Në këtë drejtim e sigurova Presidentin se investimet egjiptiane janë të sigurta dhe shumë të mirëpritura në Shqipëri dhe Shqipëria do të jetë një portë hyrëse dhe motivuese për bizneset dhe investimet egjiptiane në gjithë rajonin e Ballkanit.

Potencialet e bashkëpunimit tonë janë të shumta sidomos në turizëm, në energji, bujqësi, eksplorimi dhe shfrytëzimi i naftës dhe i gazit e kështu me radhë. Ajo që është më e rëndësishmja dhe që ne u dakordësuam, është që sa më shpejt të mblidhet komisioni i përbashkët ndërshtetëror, brenda këtij 6-mujori, që do të identifikojë platformën e bashkëpunimit tonë ekonomik. Ndërkohë që edhe grupet e miqësisë në parlamentet tona do të bashkëpunojnë ngushtë për të shtyrë përpara këtë bashkëpunim të qeverive tona dhe gjithë institucioneve.

Njëkohësisht, bashkëpunimi në fushën e arsimit dhe të kulturës ka qenë dhe është shumë i rëndësishëm në marrëdhëniet tona me Egjiptin dhe shumë shpejt do të nënshkruhet edhe programi ekzekutiv kulturor 2017-2020 midis vendeve tona.

Rikthimi i fuqishëm dhe premtues i Egjiptit në skenën ndërkombëtare është shumë i rëndësishëm; si një aktor dhe partner shumë qendror dhe kyç në luftën kundër terrorizmit.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

(n.m/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb