Ashtu siç edhe paralajmëroi kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka zhvilluar një konferencë për mediat lidhur me kallëzimin e bërë ndaj Autoritetit të Dosjeve.

Meta u shpreh se autoriteti në mënyrë skandaloze ka vepruar në kundërshtim me ligjin.

Po ashtu theksoi nga ana e Autoritetit janë kryer gjashtë shkelje.

“Sot, kam depozituar pranë organeve të drejtësisë kallëzimin penal ndaj anëtarëve të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, lidhur me shkeljet flagrante dhe të qëllimshme, të ligjit nga ana e tyre, në shërbim të verbër të sulmeve politike të kryeministrit Edi Rama lidhur me mua si ish-President I Republikës, dhe Kryetar i Partisë së Lirisë, forca e dytë opozitare në vend. Lidhur me shkeljet flagrante kundër meje si ish-president dhe si kryetar i partisë së Lirisë , kanë konsumuar gjashtë vepra penale”, tha Meta.

Më tej shtoi: Anëtarët e AIDSSH kanë konsumuar të paktën 6 vepra penale, të cilat janë:

1. Shpërdorim Detyre, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;
2. Falsifikim i Dokumenteve shtetërore, parashikuar nga neni 186 i Kodit Penal;
3. Falsifikimi kompjuterik, parashikuar nga neni 186/a i Kodit Penal;
4. Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve, parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal;
5. Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik, parashikuar nga neni 267 i Kodit Penal;
6. Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete, parashikuar nga neni 295/a i Kodit Penal;
të kryera në bashkëpunim.

Anëtarët e AIDSSH:

1. Kanë kryer shkelje Flagrante të Ligjit të tyre Funksional.

Kanë shkelur Parimet e Funksionimit të tyre. Nenit 29/4: Ku shprehet se Personat e Verifikuar ne Komisionet e meparshme, nuk verifikohen me.
Gjithashtu, Autoriteti i Dosjeve ka shkelur edhe parimin e njohur kushtetues “Parimi i Sigurisë Juridike”.

Autoriteti i Dosjeve, pa asnjë kërkesë nga ndonjë Institucion Kushtetues (siç e përcakton ligji funksional), por duke marrë “urdhër” nga një “denoncim anonim”, nis procesin e riverifikimit të një figure publike ish – Presidenti i Republikës (figura më e lartë në hierarkinë e shtetit deri 24 orë përpara verifikimit të AIDSSH) dhe nxjerr “konkluzione shteruese” pa kryer kurrfarë hetimi objektiv, duke marrë plot 7 vendime në 24 orë, kur më e pakta me procedurë normale do duheshin 6 muaj.

Në rastin konkret, Ilir Rexhep Metaj, ishte hetuar nga 2 komisionet Mezini-Bezhani, dhe nga vetë AIDSSH në vitin 2017.

2. Në Mënyrë të paligjshme vetë Autoriteti ka punuar dhe ka nxjerrë të dhëna dhe konkluzione, në kundërshtim të hapur me ligjin, mbi një dosje të pa deklasifikuar.

3. Ka arritur në konkluzione “shteruese” të manipuluara dhe të falsifikuara, duke lidhur me dashje emrin e Ish-Presidentit Ilir Metaj pa pasur asnjë material, dosje, indicie, të provuar ligjërisht që figuron si bashkëpunëtor, i favorizuar, apo i prekur, në raport me organet e ish- Sigurimit të Shtetit.

Autoriteti, ka prodhuar gjeneralitete të rreme për qëllime të pastra politike.

Sepse, në asnjë rast dhe në asnjë dokument, edhe të fallsifikuar, pjesë e dosjes së shtetasit F.T., nuk ekzistojnë gjeneralitetet Ilir Rexhep Metaj.

4. Vetë autoriteti në mënyrë skandaloze, përveçse ka vepruar në kundërshtim të plotë me ligjin, bën cuditërisht propozime edhe për Kodin Zgjedhor.

Gjithë këto gjoja ndryshime ligjore, AIDSSH kërkon ti përdorë si alibi, për të justifikuar veprimet flagrante të paligjshme, të kryera sipas skenarit mafioz-politik kundër ish-Presidentit Meta, sot Kryetar i Partisë së Lirisë.

5. Gjithçka nisi nga një e-mail gjoja anonim, sepse ka qenë email me regji, i nisur vetëm 24 orë pas përfundimit të detyrës time si President i Republikës.

U hetua për 24 orë dhe duke shkelur cdo parim, cdo gjë, u arrit në konkluzione shteruese se I.M na ishte ish-Presidenti i Republikës.

Pra, AIDSSH, paska hetuar bazuar mbi një email anonim, në kundërshtim të hapur me ligjin, dhe për 24 orë ka konkluduar se bëhej fjalë për z. Ilir Metaj, ish-President I Republikës, pa pasur asnjë dokument, fakt, provë, të dhënë, apo indicie, që mund të lidhë figurën e z. Ilir Rexhep Metaj, me një nga kategoritë e cituara në ligj si bashkëpunëtor, i favorizuar, apo i prekur nga sigurimi i shtetit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb