TIRANE– Presidenti Ilir Meta ka folur rreth plotfuqishmërisë për çështjen e negociatave për detin mes dy vendeve, Shqipërisë dhe Greqisë. Në emisionin “Studio e Hapur” me Eni Vasilin në “News24”, Kreu i Shtetit ka theksuar se me rëndësi është që të përmbushet detyra e Presidentit si nga ana institucionale dhe nga ana kushtetuese.

Duke theksuar rëndësinë e këtyre negociatave dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura me Greqinë, Presidenti Meta tha se ky proces nuk do të dëmtojë integrimin e Shqipërisë në BE.

“Nuk ka patur dhe nuk do ketë veto të Greqisë për integrimin e Shqipërisë”, u shpreh Presidenti Meta.

Më tej, ai u ndal edhe tek diskutimet për çështjen çame dhe tekstet në shkolla.

Rezulton se Greqia synon edhe të një marrëveshje tjetër me Shqipërinë, që kjo t’i kthejë pronat e Kishës Ortodokse?
Kishës tonë Ortodokse në Shqipëri ja kemi kthyer dhe do t’ja kthejmë. Është Kisha jonë. Për shkak të një padrejtësie të madhe që i është bërë Kishës Ortodokse, unë kur kam qenë kryeministër kam vendosur që t’i jepet pronë. Jam shumë krenar për këtë vendim, pasi jo vetëm kemi vënë në vend një padrejtësi historike, por aty është bërë një investime që i shërben edhe qytetarëve. Është me rëndësi që çdo komuniteti fetar t’i kthehen pronat.

A jeni në dijeni të një kërkesë nga pala greke për heqjen e emrit Çamëri nga librat e shkollës?
Nuk mund të komentoj çdo lajm që del në Greqi në lidhje me këto bisedime. Por unë them se marrëveshjet për të rishikuar tekstet janë të rëndësishme. Jo për të ndryshuar historinë, por gjuhën e përdorur, për të evituar qëndrimet emocionale. Mendoj se as ne nuk mund t’i detyrojmë ata të ndryshojnë disa gjëra atje, po as ata nuk mund të na detyrojnë ne këtu të ndryshojmë disa gjëra për një komunitet ekziston.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb