TIRANË

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka folur sot për deklaratat e ambasadores së SHBA Yuri Kim dhe platformën me 14 pika. Meta tha në “Opinion” se më 23 mars në një takim me ambasadoren amerikane ajo i ka kërkuar idetë e tij se si mund të shkohet drejt normalitetit për Kushtetuesen dhe më 8 prill i është dërguar platforma.

“Nuk mund të jem target i askujt sepse jam presidenti i vendit. Nuk mund të ketë një Ambasadore target mbi një president se ky është një problem tjetër. Nuk është Ilir Meta target i askujt. Një gjë ta kesh të qartë ti dhe kushdo. Nuk lejoj më të tallet njeri me atë reformë që e katandisën në atë formë.
Ambasadorja vetëm për Ilir Metën s’mund ta ketë, ashtu sikurse jam i sigurt që ai burimi për VOA është burim i Ambasadës Amerikane, por jo i ambasadores. Ambasadorja e SHBA në datën 23 mars në një takim që ka bërë me mua në Presidencë më ka kërkuar idetë e mia si mund të shkohet drejt normalitetit për Gjykatën Kushtetuese dhe më 8 prill, drejtori im i kabinetit i ka dërguar një platformë. Pra, Presidenti më 8 prill i ka dërguar ambasadores amerikane platformën me 14 pika që edhe u bë publike. Nëse ka ndonjë shqetësim ta thotë se unë kam 50 ditë që ia kam çuar. Nuk kisha pse t’ia çoja ambasadorit të BE sepse që ditën e parë që ka ardhur në Shqipëri i kam kërkuar të ndërhyjë për situatën e rëndë ku po përfundonte reforma në drejtësi”, deklaroi Meta.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb