Presidenti Ilir Meta, ka marrë pjesë nëpërmjet video-konferencës aktivitetin e organizuar nga Shoqata Somelierëve Italianë në komunën arbëreshe.

Meta shkruan se aty u promovuan verërat shqiptare, nën logon “Made in Albania”. Kreu i shtetit thekson më tej se këto pije nxjerrin në pah traditat më të mira të agro-turizmit shqiptar, si dhe lidhet e vendit tonë me komunitetin arbëresh. Ai shkruan se ky aktivitet, kishte rëndësi të madhe edhe për qëllimin social dhe human për të cilin ishte ideuar, pasi të ardhurat e grumbulluara do të përdoren për blerjen e materialeve sanitare dhe shëndetësore në vendin tonë, me qëllim përballimin e pasojave të pandemisë COVID-19.

Postimi i Ilir Metës:

Me shumë kënaqësi përshëndeta dje, nëpërmjet një video-konference, aktivitetin e organizuar nga Shoqata e Somelierëve Italianë, në Komunën arbëreshe të Shën Mitër Korona, për promovimin dinjitoz të verërave tona të mrekullueshme “Made in Albania” në tregun italian.
Ky aktivitet, që synon forcimin e shkëmbimeve ekonomike dhe turistike midis dy vendeve tona, në veçanti mes komunave arbëreshe dhe Shqipërisë, kishte rëndësi të madhe edhe për qëllimin social dhe human për të cilin ishte ideuar, pasi të ardhurat e grumbulluara do të përdoren për blerjen e materialeve sanitare dhe shëndetësore në vendin tonë, me qëllim përballimin e pasojave të pandemisë COVID-19.
E falenderova Klubin AIS Kalabri dhe Klubin AIS Shqipëri për këtë nismë dhe urova që në të ardhmen të organizohen sa më shumë aktivitete të tilla, që përveç aspektit humanitar, nxjerrin në pah vlerat tërheqëse dhe traditat më të mira të agro-turizmit shqiptar, si dhe forcojnë lidhjet e Shqipërisë me komunitetin arbëresh dhe Italinë mike.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb