TIRANË

Presidenti Ilir Meta priti sot në një takim ambasadoren e Holandës në Tiranë, Guusje Korthals Altes, me rastin e përfundimit të misionit të saj diplomatik në vendin tone.

Në një postim në facebook, ku ndan foto nga takimit, kreu i shtetit shkruan se vlerëson kontributin e Ambasadores në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, ndërsa e falenderoi atë për mbështetjen e Holandës për procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Postimi i plotë:

Pata kënaqësinë të takohesha sot me Ambasadoren e Holandës në Tiranë, SH.S.Znj. Guusje Korthals Altes, me rastin e përfundimit të misionit të saj diplomatik në vendin tonë.

Vlerësova kontributin e Ambasadores në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, nënvizova nivelin shumë të mirë të tyre dhe rëndësinë e forcimit më tej në dobi të dy vendeve tona veçanërisht në fushën e shkëmbimeve ekonomike dhe investimeve të huaja, ku Holanda zë një vend të rëndësishëm dhe në rritje.
Falënderova për mbështetjen e Holandës për procesin e integrimit europian të Shqipërisë, në veçanti për qëndrimin inkurajues të Parlamentit holandez për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë.

E falënderova Ambasadoren për ndihmën e Holandës, si për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti i vitit 2019, ashtu edhe për ndihmën e vyer në përballimin e pasojave të COVID-19 në Shqipëri, nëpërmjet programit “UNICEF Albania”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb