Presidenti i Republikës Ilir Meta priti në një takim ambasadorin e ri të BE-së,  Luigi Soreca, ku pranoi prej tij  letrat kredenciale. Gjtë takimit,  presidenti shprehu kënaqësinë që Bashkimi Evropian ka përzgjedhur si përfaqësues të tij në vendin tonë një nga njohësit dhe  bashkëpunëtorët më të afërt të Shqipërisë dhe rajonit ndër vite, dhe me kontribut të spikatur për suksesin e liberalizimit të vizave me BE.

Presidenti Meta theksoi se përparimi urgjent në çështjet e shtetit të së drejtës dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik janë domosdoshmëri për vendin, dhe përshpejtojnë agjendën integruese të vendit. Kreu i Shtetit nënvizoi gjithashtu rëndësinë e dyfishimit të përpjekjeve të brendshme dhe rritjen e bashkëpunimit pozitë-opozitë për avancimin e reformave kyçe që do të mundësojnë realizimin e objektivit për çeljen e negociatave vitin e ardhshëm.

“Është një nder të përfaqësoj Bashkimin Evropian në një moment vendimtar për Shqipërinë në rrugën e saj drejt pranimit në BE. Këshilli i Bashkimit Evropian ka përcaktuar një rrugë të qartë drejt hapjes së negociatave për anëtarësim në qershor të vitit 2019. Unë do të punoj ngushtësisht me autoritetet shqiptare dhe në koordinim me Shtetet Anëtare të BE-së, për të siguruar që reformat e nevojshme jo vetëm të konsolidohen, por edhe të thellohen.Është një privilegj personal të kthehem në Shqipëri pasi kam udhëhequr ekipin e BE-së që negocioi dhe zbatoi regjimin e tij pa viza me Bashkimin Evropian. Pres me padurim lajme të mira të ngjashme gjatë katër viteve të ardhshme, me rezultate që do ta përmirësojnë më tej jetën e përditshme të shqiptarëve”, tha Ambasadori Soreca pas ceremonisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb