TIRANË- Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta priti sot Ambasadorin e ri të Italisë Alberto Cutillo, të cilit i uroi mirëseardhjen në Shqipëri dhe suksese në detyrën e tij të re.

Kryetari i Kuvendit i cilësoi marrëdhëniet e ngushta me Italinë si të shkëlqyera dhe shprehu vullnetin për ta ngritur cilësinë e bashkëpunimit dypalësh në një nivel më të lartë, veçanërisht për sa i përket investimeve italiane në Shqipëri.

Në këtë drejtim Meta vuri në dukje bashkëpunimin e afërt ndërparlamentar mes Shqipërisë dhe Italisë dhe theksoi se mbështetja në funksion të intensifikimit të axhendës së bashkëpunimit dypalësh do të jetë maksimale.

Ambasadori i Italisë, Alberto Cutillo shprehu kënaqësinë për misionin e tij të ri në Shqipëri dhe e falënderoi Kryetarin e Kuvendit, për mbështetjen e tij dhe të Kuvendit në mbarëvajtjen e marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve fqinje.

Në këtë kuadër Ambasadori Cutillo nënvizoi se axhenda e tij diplomatike do të fokusohet në thithjen e grupeve më të mëdha investuese italiane në Shqipëri veçanërisht në sektorët e energjisë, turizmit, etj.

Në përfundim, Meta, duke shprehur mirënjohjen për rolin e Italisë si një partner gjithnjë në avangardë të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, theksoi se përpjekjet e gjithë klasës politike shqiptare duhen përqendruar në avancimin e reformave kyçe si ajo e sistemit të drejtësisë, e cila do të hapë rrugën për hapjen e procesit të negociatave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian për anëtarësim.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb