Presidenti i Republikës së Shqipërisë, është takuar këtë të diel me përfaqësuesit e vendeve të “Grupit C5” të kryesuar nga Ministri i Jashtëm i Sllovenisë, Anze Logar.

Ky i fundit, do të kryesojë Presidencën e radhës të Bashkimit Evropian dhe e nis detyrën në korrik të 2021-it.

Meta, nëpërmjet një postimi në rrjete sociale, thekson se fokusi i takimit ka qenë mbështetja që Sllovenia dhe vendet e tjera të “Grupit C5”, do t’i japin Shqipërisë për anëtarësimin në BE.

“Kënaqësi të takohesha me përfaqësuesit e vendeve të “Grupi C5” të kryesuar nga Ministri i Jashtëm i Sllovenisë, z.Anze Logar, që do të kryesojë Presidencën e radhës së Bashkimit Europian, që nga korriku 2021.

Vlerësova miqësinë tradicionale mes këtyre vendeve dhe Shqipërisë duke i falënderuar veçanërisht për ndihmën dhe mbështetjen miqësore dhe të vazhdueshme, që i japin Shqipërisë në procesin e integrimit europian.

Duke vlerësuar Presidencën e ardhshme sllovene të BE-së si mundësi të favorshme për vendin tonë dhe për të gjithë rajonin, nënvizova rëndësinë, që ka çelja e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe përparimi me shpejtësi në këtë proces.

Duke uruar, që të gjitha përpjekjet e përbashkëta si për zbatimin e reformave ashtu edhe për një vendimmarrje pozitive europiane të korrin sukses të shpejtë, i falënderova edhe një herë të tria vendet për mbështetjen e sinqertë dhe këmbëngulëse. ”, shkruan Meta.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb