Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka pritur në takim zv/kryeministren dhe ministren e jashtme boshnjake, Bisera Turkoviç.

Meta ka vlerësuar marrëdhëniet Shqipëri-Bosnje Hercegovinë dhe nevojën e forcimit të bashkëpunimit.

Më tej Meta ka vlerësuar vendimin e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës për të rihapur ambasadën në Tiranë, teksa ka shtuar se po ashtu e rëndësishme është që Shqipëria të rihapë ambasadën në Sarajevë.

NJOFTIMI NGA PRESIDENCA

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, priti sot në një takim Nënkryetaren e Këshillit të Ministrave dhe Ministre e Punëve të Jashtme të Bosnje dhe Hercegovinës, znj.Bisera Turkoviç.

Presidenti Meta, duke vlerësuar marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe popujve tanë, u shpreh se e mirëpret vendimin e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës për rihapjen e ambasadës në Tiranë, si shprehje të interesit të drejtpërdrejtë për nevojën e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit në të gjitha fushat.

Gjithashtu, Kreu i Shtetit theksoi rëndësinë e rihapjes së ambasadës së Shqipërisë në Sarajevë, sa më parë të jetë e mundur.

Presidenti Meta u shpreh se dialogu politik konstant, bazuar në frymën konstruktive dhe respektin e ndërsjellë, si dhe bashkëpunimi në rritje, përbëjnë premisën më të mirë për thellimin dhe forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me Bosnje dhe Hercegovinën.

Gjatë këtij takimi, Kreu i Shtetit theksoi mbështetjen që Shqipëria jep në mënyrë të palëkundur për sovranitetin dhe integritetin e Bosnje-Hercegovinës.

Presidenti Meta vlerësoi lart kontributin e komunitetit shqiptar në Bosnje dhe Hercegovinë, dhe atij boshnjak në Shqipëri, si një urë lidhëse tepër të rëndësishme mes të dy vendeve dhe popujve tanë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb