Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti në takim zotin Robert Benjamin, Drejtor për Europën Qendrore dhe Lindore në Institutin Demokratik Amerikan (NDI).

Presidenti Meta vlerësoi kontributin e çmuar të NDI në Shqipëri, në nxitjen e proceseve demokratike për rritjen e transparencës, integritetit në politikë dhe mbështetjen e shoqërisë civile.

Duke theksuar rëndësinë që ka pjesëmarrja e të rinjve përmes shoqërisë civile dhe partive politike, Presidenti Meta mirëpriti mbështetjen dhe mundësinë që NDI u ka ofruar të rinjve shqiptarë të spikatin në individualitetin e tyre, si drejtues të të ardhmes, për të marrë më shumë përgjegjësi.

Kreu i Shtetit nënvizoi rëndësinë që ka investimi për të rinjtë e kualifikuar që ata të qëndrojnë në Shqipëri i si një aset që duhet të investohet në dobi të të ardhmes së vendit.

Presidenti Meta çmoi gjithashtu përfshirjen aktive të NDI në avancimin e reformës së financave të partive politike nëpërmjet dialogut ndërpartiak dhe monitorimit të pavarur të shoqërisë civile, duke shpresuar në rritjen e transparencës financiare dhe integritetit të partive politike.

Presidenti Meta dhe zoti Benjamin folën edhe mbi zhvillimet në rajon, dhe rëndësinë që ka forcimi i zërit dhe përfaqësimit të shoqërisë civile për secilin vend dhe për rajonin në tërësi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: