TEPELENE- Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta mori pjesë në takimin e përbashkët me strukturat e PS-së dhe LSI-së në Tepelenë, ku u bë edhe prezantimi i kandidatëve të koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Evropiane” për Bashkinë e Tepelenës, z. Tërmet Peçi dhe për Bashkinë e Memaliajt, z. Durim Roshi.

Në këtë takim morën pjesë edhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, z. Arben Ahmetaj, Prefektja e Gjirokastrës,

kandidate në zgjedhje për Bashkinë e Gjirokastrës, znj. Zamira Rami, deputetët Vangjel Tavo dhe Dashamir Kamberi si edhe Kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, z. Flamur Bime.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Lideri i LSI-së theksoi se dy kandidatët për kryetar bashkie kanë eksperiencat e duhura për administrimin e dy bashkive dhe se do të kenë mundësi më të mëdha për të zhvilluar projektet e tyre falë reformës administrativo-territoriale.

“Unë jam i bindur që hapësira që u jepet këtyre bashkive, edhe të Tepelenës dhe të Memaliajt, do të japi një frymëmarrje tjetër, do të japë mundësi tjetër. Edhe Durimi është me përvojë, sepse ka drejtuar edhe në të kaluarën, edhe Tërmeti ka tani një përvojë shumë të mirë, energjitë i kanë të pafund të dy. Kështu që unë besoj që të gjithë bashkë me popullin e Tepelenës, me popullin e Memaliajt do të arrijnë ta fusin Tepelenë-Memaliaj në një rrugë më të shpejtë të progresit dhe sidomos të mirëqenies. E nënvizoj, pjesa më e vështirë ka kaluar, pra periudha e parë e qeverisë, një trashëgimi shumë e vështirë nga borxhet, nga deficiti e kështu më radhë, reforma të detyrueshme për t’u ndërmarrë, dhe tani jam i bindur që do të japin frytet e tyre gjithë këto reforma, në mënyrë që të preken nga të gjithë qytetarët, të preken nga të gjithë tepelenasit dhe nga të gjithë qytetarët e Memaliajt”, – tha z. Meta, duke shtuar se Aleanca për Shqipërinë Evropiane do të konfirmojë me votat që do të fitojë në të gjithë vendin se është në rrugën e duhur.

“Se Shqipëria po ecën në drejtimin e duhur dhe unë jam i bindur që Tepelena dhe Memaliaj do ti thotë një “po” shumë të fortë këtij drejtimi sepse e ka zgjedhur vetë në 23 qershor të vitit 2013”, – theksoi mes të tjerave z. Meta.

Kryetari i Bashkisë së Tepelenës, njëherësh kandidat për një mandat të dytë z. Tërmet Peçi vlerësoi prezantimin e tij nga Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta duke shprehu angazhimin e plotë në arritjen e një fitoreje në zgjedhjet e 21 qershorit. “Në prezantimin që po më bëhet nga Kryetari i LSI-së dhe njëkohësisht Kryetar i Kuvendit, për mua është nder dhe shumë përgjegjësi. Në emrin tuaj garantoj z. Ilir Meta, deputetët, por edhe koalicionin e Aleancës për Shqipërinë

Evropiane që ne të gjithë së bashku më 21 qershor do të punojmë ditë dhe natë për të garantuar fitoren plebishitare të koalicionit tonë”, – tha z. Peçi.

Kandidati për kryetar të Bashkisë së Memaliaj, z. Durim Roshi theksoi në fjalën e tij përpara anëtarëve të strukturave se mbështetja e tyre, si nga strukturat e LSI-së ashtu edhe nga ato të PS-së kanë qenë maksimale dhe se do të vijojë fushatën në arritjen e një fitoreje në zgjedhje.

“Falënderoj të gjithë struktura e PS-së dhe të gjitha strukturat e LSI-së që deri tani më kanë mbështetur maksimalisht dhe ju garantoj që këtë mbështetje që më kanë dhënë këta njerëz nuk do t’i zhgënjejë dhe do të arrijmë së bashku një fitore plebishitare. Ju bëj thirrje të bashkojmë mendjen, zemrat, votat dhe kontributet rreth fitimtarëve të koalicionit ‘Aleanca për Shqipërinë Evropiane’, sepse ky është koalicioni më progresist, është ky koalicion që do të çojë Shqipërinë drejt Evropës”,- tha z. Roshi.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: