Presidenti i Republikës, Ilir Meta nisi sot vizitën zyrtare në Estoni duke u pritur me nderime të veçanta shtetërore nga Presidentja e Republikës së Estonisë, Kersti Kaljulaid.

Pas ceremonisë zyrtare të mirëseardhjes, të dy Presidentët zhvilluan një takim kokë më kokë, dhe më pas vijuan me takimin e zgjeruar të dy delegacioneve.

Presidenti Meta falënderoi homologen e tij estoneze për mbështetjen e vazhdueshme të Estonisë në procesin e integrimit europian të Shqipërisë dhe vuri në dukje faktin se më 18 tetor Shqipëria shpreson të marrë lajmin e mirë nga Këshilli i Bashkimit Europian për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE. Gjithashtu, Kreu i shtetit shqiptar vlerësoi Memorandumin e Bashkëpunimit për procesin e Integrimit Europian mes dy vendeve tona që u nënshkrua gjatë kësaj vizite, duke e cilësuar atë si një mundësi të shkëlqyer për të mësuar nga përvoja estoneze në këtë fushë. Të dy Presidentët ndanë të njëjtat vlerësime mbi zhvillimet në rajonet respektive, sfidat e përbashkëta të sigurisë dhe proceset e integrimit euro-atlantik, si dhe për nevojën për të intensifikuar bashkëpunimin ekonomik midis Shqipërisë dhe Estonisë.

Presidenti Meta e ftoi Presidenten Kaljulaid për një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Në vijim, deklarata e plotë e Presidentit Meta në konferencën e përbashkët për shtyp me Presidenten e Republikës së Estonisë, Sh.S.Znj. Kersti Kaljulaid: “Jam shumë i kënaqur që jem Presidenti i parë i vendit tim që vij për një vizitë zyrtare në vendin tuaj të bukur dhe miqësor, Estoninë. Pata rastin të takoja miken time, Presidenten Kersti Kaljulaid. Më duhet të them që kemi pasur një shkëmbim pikëpamjesh shumë të frytshme për shumë çështje me interes të përbashkët. Ne ndajmë të njëjtat vlerësime për sfidat e sigurisë në Evropë, mbi zhvillimet në rajonet tona dhe proceset e integrimit euro-atlantik, si dhe për nevojën për të intensifikuar bashkëpunimin ekonomik midis Shqipërisë dhe Estonisë. E falënderoj Presidenten Kaljulaid për mbështetjen e vazhdueshme të Estonisë në procesin e integrimit evropian të vendit tim. Ne presim që më 18 tetor të marrim lajmin e mirë nga Këshilli i Bashkimit Europian për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. E përgëzova Presidenten Kaljulaid me rastin e 15-vjetorit të anëtarësimit të Estonisë në NATO dhe të integrimit në Bashkimin Evropian.

Vërtetë ka shumë për të mësuar nga arritjet e Estonisë. Sot, dy Ministritë tanë të Punëve të Jashtme kanë nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi për procesin e Integrimit Evropian, një mundësi e shkëlqyer për të përfituar nga përvoja juaj. Estonia dhe Shqipëria kanë shumë të përbashkëta, përfshirë faktin që ne të dy jemi anëtarë të NATO-s.  Më lejoni të nënvizoj faktin se Shqipëria është e pranishme me trupat e saj ushtarake në Letoni në kuadrin e “NATO Enhanced Forward Presence”.

Ne kujdesemi për sigurinë në këtë pjesë të Evropës, pasi ajo është shumë e lidhur me sigurinë e të gjithë kontinentit, pra edhe me sigurinë tonë. Do të takoj gjithashtu Presidentin e Riigikogu dhe Kryeministrin e Estonisë gjatë ditës. Ne do të diskutojmë dhe jam shumë i sigurt se do t’ia dalim të gjejmë mënyra për të rritur bashkëpunimin tonë ekonomik dhe tregtar si edhe shkëmbimin e njohurive.

Kemi shumë për të mësuar nga “E-Estonia”. Dhe ne duhet të promovojmë bukuritë e bregdetit shqiptar dhe malet shqiptare dhe të kemi gjithnjë e më shumë turistë nga vendi juaj. Faleminderit e nderuara Presidente për ftesën dhe për mikpritjen tuaj! Shpresoj se do t’ju presim së shpejti për një vizitë në Shqipëri”.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: