Presidenti i vendit, Ilir Meta ka kujtuar sot rikthimin e Familjes Mbretërore shqiptare në Atdhe.

Teksa poston videon e rrallë të 18 viteve më parë, kur familja Mbretërore zbret pas 6 dekadash në Atdhe, Presidenti thotë se riktyhimi i tyre, edhe pse me vonesë ishte një akt pajtimi dhe rivlerësimi për kontributin e pamohueshem të Mbretit të shqiptarëve, Ahmet Zogut për krijimin dhe funksionimin e shtetit shqiptar modern.

STATUSI I PLOTE
Rikthimi i Familjes Mbretërore shqiptare në Atdhe 18 vite më parë, pas mbi 6 dekada mërgimi të detyruar është një ngjarje historike për të gjithë shqiptarët.
Edhe pse me vonesë ishte një akt pajtimi dhe rivlerësimi për kontributin e pamohueshem të Mbretit të shqiptarëve, Ahmet Zogut për krijimin dhe funksionimin e shtetit shqiptar modern.
Aq më tepër kur këtë vit festuam 100-vjetorin e Kongresit të Lushnjes ku roli i Tij ka qenë madhor, jo vetëm per realizimin e tij por edhe zbatimin e vendimeve të këtij Kongresi.
Në këtë ditë të shënuar një mirënjohje e veçantë i takon Mbretëreshës Geraldinë e cila në një moshë shumë të re vendosi të bëhej shqiptare dhe i qëndroi besnike përgjithmonë Atdheut që zgjodhi edhe kur ai i ktheu shpinën.
Ajo mbetet një shembull i sakrificës, i vetëmohimit, i dashurisë njerëzore dhe familjare, i faljes dhe tolerancës, por mbi të gjitha i besnikërisë pa kushte ndaj Atdheut.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb