Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka shpërthyer me tone të ashpra ndaj Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, lidhur me procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Meta tha në një konferencë se mosndjekja e radhës në përzgjedhjen e anëtarëve të Kushtetueses nga KED është absurde, e turpshme dhe mafioze.

“Është detyra e KED të rregullojë listat e vakancave të kandidatëve, të kritereve dhe të afateve, që të respektohet Kushtetuta, të respektohet ligji, dhe të mos kemi përplasje mes institucioneve.

Nuk është e kundërta, që KED, që është institucion kolegjial, apo akoma më keq, kryetari i KED, të bëjë lojëra të karakterit administrativ, duke vendosur vetë kohën se si i dërgon listat, në mënyrë të tillë tepër të dyshimtë, madje mafioze, që të vendosë Presidentin në këtë pozitë, që o të shkelë detyrimisht Kushtetutën, që thotë qartë se presidenti plotëson vakancën e parë dhe parlamenti të dytën, ose me interpretime qesharake dhe absurde thotë se i ka mbaruar afati presidentit, kjo është absurde, e turpshme, mafioze”, tha Meta.

Më tej, Kreu i Shtetit sqaroi se Kushtetuta nuk përcakton afate për Presidentin, por vetëm për Parlamentin, i cili është një institucion kolegjial dhe përbëhet nga forca të ndryshme politike.

“Nuk ka një afat të caktuar kushtetues për Presidentin e Republikës, ka afat pr Parlamentin, pasi është institucion kolegjial, që përbëhet nga forca të ndryshme politike. Kushtetuta është mbi çdo gjë, aq më tepër kur bëhet fjalë për krijimin e Gjykatës Kushtetuese. Kushtetuta është zero pa Gjykatën Kushtetuese dhe ne kemi gati dy vjet pa të. Momenti i krijimit të Gjykatës Kushtetuese është histori, sepse për herë të parë krijohet Gjykata Kushtetuese sipas reformës që u bë në Kushtetutë për Reformën në Drejtësi.

Është tepër e rëndësishme të respektohet Kushtetuta, aq më tepër për këtë gjykatë, pasi është garancia për mbrojtjen e Kushtetutës dhe çdo qytetari të Shqipërisë. Duhet të keni të qartë se KED është një institucion që merret vetëm me organizmin administrativ për krijimin e Gjykatës Kushtetuese. Kushtetuta tregon qartë se si krijohet kjo gjykatë dhe thotë qartë se Presidenti ka të drejtën e parë për të plotësuar vakancën e parë, pastaj është Parlamenti, dhe në këtë mënyrë përsëritet e njëjta renditje”, u shpreh Presidenti.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb